Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritur as për të 50-ën herë ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës, pavarësisht zërave se në fundjavë do të mund të arrihej një marrëveshje për zhbllokim të situatës.
Të pranishëm në seancë kanë qenë 104 deputetë bdërsa propozimi i Vetëvendosjes ka marrë vetëm 53 vota duke mos arritur zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica i ka bërë thirrje kryesuesit të seancës, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje që të mos lejojë “të keqpërdoret”.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka akuzuar Deharin për “abuzim” me pozitën.
Para nisjes së seancës, avokati Arianit Koci qethi kokën para Kuvendit, duke thënë se ky është akt simbolik, përmes së cilit po dëshmon se “ka ardhur fundi”.
“Kjo nuk është më politikë prandaj unë kërkoj që menjëherë sot të formohet Kuvendi”, ka thënë avokati Koci, duke përsëritur se nga kjo zvarritje po rrezikohet “shtetësia e Kosovës”.
Kuvendi nuk është konstituuar as pas një takimi të zhvilluar të shtunën mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Hollësitë e takimit nuk janë bërë të ditura. Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku ka deklaruar paraprakisht se partia të cilës i takon ajo kërkon që Limaj të propozohet për kryetar Kuvendi.
Ndonëse gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese këtë javë. Versus.al







