BOTA /

"Do bëj çmos që të shmangim zgjedhjet e parakohshme", Osmani: VV mund të japë emër tjetër për kryeministër

Osmani tha se kreu i LVV-së ka kërkuar edhe një takim para datës 5 nëntor, kur skadon koha për paraqitjen e propozimit të dytë ndërsa partitë tjera kanë shprehur qartë qëndrimin se janë për zgjedhje të reja dhe nuk kanë propozime për udhëheqës të qeverisë.

Shkruar nga Versus

"Do bëj çmos që të shmangim zgjedhjet e

Nga takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me krerët e partive politike parlamentare nuk është arritur ndonjë marrëveshje për mandatarin e ri për formimin e qeverisë dhe as gatishmëri për votimin e projektligjeve në Kuvend, raporton Anadolu.

Takimi i cili zgjati më shumë se dy orë, përpos që nuk pati fryte në drejtimin e propozimit të një emri të ri për udhëheqjen e qeverisë, nuk pati rezultat as në përafrimin e qëndrimeve partiake për miratimin e urgjencave parlamentare sikurse buxheti i shtetit, buxheti i televizionit publik si dhe buxheti i tre komunave.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se tani duhet të pritet deri më 5 nëntor, në mënyrë që sipas Kushtetutës, partia e parë Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ta propozojë një emër të ri për kryeministër të vendit, gjë e cila më pas do ta shtynte shpalljen e zgjedhjeve të reja edhe për 10 ditë të tjera, në rast të dështimit të dytë të kësaj partie, pas dështimit për formimin e qeverisë më 26 tetor.

Osmani tha se kreu i LVV-së ka kërkuar edhe një takim para datës 5 nëntor, kur skadon koha për paraqitjen e propozimit të dytë ndërsa partitë tjera kanë shprehur qartë qëndrimin se janë për zgjedhje të reja dhe nuk kanë propozime për udhëheqës të qeverisë.

"Shpresa ishte që mund të ketë reflektim që këto t'i zgjidhim si probleme dhe pastaj menjëherë të procedohet me zgjedhje, në rast se nuk ka mandatar të dytë. Po e them në rast se, për shkak se kryetari i LVV-së, njëkohësisht kryeministër në detyrë, ka kërkuar që të më takojë edhe njëherë para se të skadojë afati dhjetëditor që është përcaktim i mandatarit të dytë dhe pas konsultime që ka brenda partisë politike që e përfaqëson: do të vijë me propozim apo jo është çështje e tyre", tha Osmani.

Osmani tha se sipas Kushtetutës, ajo është e obliguar që të bëj çmos në mënyrë që t'i evitojë zgjedhjet e parakohshme dhe do të punojë në këtë drejtim.

Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se nga takimi u bë e qartë se askush nuk mund ta krijojë shumicën e re parlamentare bazuar në legjislaturën aktuale.

"Së paku 52 deputetë të përfaqësuar nga katër kryetarë të partive shqiptare dhe disa nga partitë minoritare në takim e bënë të qartë se nuk janë pjesë e asnjë shumice gjë që matematikisht e bën të pamundur arritjen e shumicës së re parlamentare dhe besoj se kjo do të duhej të ishte e mjaftueshme që sot edhe presidentja e vendit të vinte në një konkludim të tillë dhe pastaj të vepronte në drejtim të shpalljes së zgjedhjeve", tha Krasniqi.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosvoës (LDK), Lumir Abdixhiku tha se ajo që u bë e qartë në takim me presidenten ishte që nuk ka një mandatar të dytë për formimin e qeverisë, për shkak se shumica parlamentare, apo 52 deputetë bashkë me 9 deputetët serbë, nuk janë pjesë e ndonjë formacioni për të qeverisur.

"Në Kosovë, sipas rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit, nuk ka shumicë parlamentare. Dhe pikërisht ky ishte deklarimi i 52 deputetëve shqiptarë që praktikisht janë shumica shqiptare, gjë e cila në rrethanat e tanishme do të thotë se nuk ka shumicë parlamentare, rrjedhimisht afatet kushtetuese na detyrojnë të shkojmë fatkeqësisht drejt zgjedhjeve të reja", tha Abdixhiku.

Kryeministri në detyrë njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk pranoi të deklarohej para mediave për shkak të një vonese që tha se e ka për një takim në Qeveri.

Poll