BOTA /

Dubai, hotelet luksoze ulin ekstrem çmimet: “Nata në hotel me 5 yje për 99 euro, plus ...”

Tensionet në rajon dhe rënia e turistëve të huaj detyrojnë hotelet luksoze të ofrojnë zbritje të mëdha për banorët dhe emigrantët në Dubai

Shkruar nga Versus

Dubai, hotelet luksoze ulin ekstrem çmimet: “Nata në hotel me

Tensionet gjeopolitike në Gjirin Persik dhe konflikti me Iran kanë goditur rëndë turizmin në Dubai, një nga destinacionet më të njohura turistike në Lindjen e Mesme. Me turistët e huaj që po shmangin rajonin, hotelet luksoze janë detyruar të ulin ndjeshëm çmimet për të mos mbetur bosh.

Sipas raportimeve të Business Insider, shumë hotele po ofrojnë promocione të mëdha për banorët dhe emigrantët që jetojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në disa raste, një natë në një hotel me pesë yje mund të kushtojë vetëm 99 euro.

“Kam fjetur në një hotel me pesë yje për vetëm 99 euro nata,” rrëfen një britanike që jeton në Dubai.

Rënia e turizmit lidhet me paralajmërimet e shumë qeverive që u kërkojnë qytetarëve të shmangin udhëtimet drejt rajonit, ndërsa disa kompani ajrore kanë anuluar fluturimet drejt Emirateve të Bashkuara Arabe. Sipas World Travel & Tourism Council, rajoni humbet rreth 519 milionë euro në ditë nga të ardhurat turistike.

Për të kufizuar dëmet ekonomike, sektori hotelier po përqendrohet te turizmi lokal dhe i ashtuquajturi “staycation” pushime brenda qytetit. Zinxhirët e mëdhenj të luksit si Jumeirah Group, që zotëron edhe hotelin ikonik Burj Al Arab, kanë nisur oferta të veçanta për rezidentët.

Mes promocioneve përfshihen deri në 30% ulje për dhomat dhe paketa SPA ku trajtimi i dytë ofrohet falas. Normalisht, një natë në Burj Al Arab në muajin mars kushton rreth 790 euro dhe shpesh kalon edhe mbi 1.300 euro në sezonin e lartë.

Rënia e çmimeve shihet edhe në platformën Hotel Drops Dubai, e cila monitoron në kohë reale tarifat e dhjetëra hoteleve luksoze. Disa prej tyre, si JW Marriott Marquis Dubai apo Al Khoory Atrium Hotel, ofrojnë zbritje që arrijnë deri në 60%.

Për të nxitur më tej turizmin vendas, qeveria e Emirateve ka vendosur gjithashtu të avancojë pushimet pranverore të shkollave me një javë.

Për shumë banorë dhe emigrantë në Dubai, kjo është një mundësi e rrallë për të shijuar luksin me çmime të ulëta. Një prej tyre është Poppy Johnson, një drejtoreshë artistike britanike që jeton në qytet, e cila kaloi një fundjavë në hotelin prestigjioz Grand Hyatt Dubai.

Për vetëm 99 euro nata, ajo përfitoi një dhomë me krevat “king-size”, mëngjes të përfshirë, akses në parkun ujor dhe zbritje të mëdha në restorante dhe spa.

“Donim të ndryshonim pak ambient dhe të dilnim nga rutina. Është fantastike të ndihesh sikur je me pushime pa pasur nevojë të marrësh avionin,” tha ajo

Poll