Presidenti francez Emmanuel Macron nuk pritet të marrë pjesë në konferencën e ardhshme të OKB-së mbi njohjen e shtetit palestinez, kanë bërë të ditur burime diplomatike për Jerusalem Post.
Sipas të njëjtave burime, Macron është përballur me kundërshtime të forta nga Britania e Madhe dhe Kanadaja, të cilat kanë paralajmëruar se një njohje e njëanshme nga Franca e shtetësisë palestineze mund të dëmtojë përpjekjet për koordinim ndërkombëtar me Izraelin dhe të thellojë përçarjet mes aleatëve perëndimorë.
Fillimisht, Macron kishte planifikuar të bashkëdrejtonte konferencën së bashku me Arabinë Saudite dhe thuhej se kishte konsideruar mundësinë për të shpallur zyrtarisht njohjen e shtetit palestinez nga Franca – pretendim që është mohuar në mënyrë të prerë nga Parisi.
Konferenca ishte parashikuar të zhvillohej në New York nga data 17 deri më 20 qershor, me fokus në të ardhmen e Rripit të Gazës pas përfundimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, si dhe përpjekjet për një proces gradual të njohjes së shtetësisë palestineze në arenën ndërkombëtare.
Megjithatë, përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit detyroi shtyrjen e samitit. Mediat izraelite raportojnë gjithashtu për presion të heshtur diplomatik nga SHBA-të për të shtyrë zhvillimin e tij. Konferenca është riprogramuar për më 28 korrik. /Versus.al







