
Një incident i rëndë ka ndodhur pak pas mesnatës së dielës, pranë Shtëpisë së Bardhë, ku një person u qëllua nga oficerët e Shërbimit Sekret të SHBA-së gjatë një përplasjeje me armë. Sipas informacioneve paraprake, personi në fjalë dyshohej se kishte ardhur nga Indiana drejt Uashingtonit dhe konsiderohej si një individ i rrezikshëm.
Forcat lokale të rendit kishin informuar më herët Shërbimin Sekret për një person që shfaqte sjellje vetëvrasëse. Pas këtij njoftimi, oficerët u dërguan menjëherë në vendngjarje për të verifikuar situatën. Sapo iu afruan individit të dyshuar, vërejtën se ai mbante një armë zjarri, gjë që çoi në një situatë të tensionuar dhe përfundoi me të shtëna armësh.
Në një deklaratë të bërë publike në platformën X, zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi, konfirmoi se “teksa oficerët i afrohen, personi ishte i armatosur dhe, për shkak të kërcënimit të mundshëm që paraqiste, ndodhi një përplasje ku ai u qëllua.”
Fatmirësisht, asnjë nga oficerët e pranishëm nuk ka pësuar lëndime. Ndërkohë, personi i plagosur është dërguar menjëherë në spital për trajtim mjekësor. Ende nuk ka informacione të sakta mbi gjendjen e tij shëndetësore, ndërkohë që hetimet për ngjarjen janë në vijim. /Versus.al/

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për tre nga të arrestuarit në kuadër të megaoperacionit të SPAK për goditjen e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.
Në seancën për vlerësimin e masave të sigurisë, gjykata vendosi të mbajë në burg Orest Sotën, Orgest Birçajn dhe Dritan Agën. Ndërkohë, për Gëzim Islamin u vendos lirimi për arsye shëndetësore kundrejt një garancie pasurore prej 100 mijë eurosh.
Katër të arrestuarit dolën para Gjykatës së Posaçme këtë të shtunë, ndërsa seanca nisi në orën 09:00. Procesi u ndërpre për rreth dy orë pas kërkesës së avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan kohë për t’u njohur me aktet hetimore të dosjes.
Pas rifillimit të gjykimit, trupa gjykuese shqyrtoi kërkesat e palëve dhe vendosi masat e sigurisë për secilin prej të dyshuarve.
Në sallëne gjyqit ishin të pranishëm kreu i SPAK, Altin Dumani, prokurorja Elida Kaçkini dhe gjyqtarja Flojera Davidhi.
Megaoperacioni i SPAK ka në fokus goditjen e grupeve të përfshira në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe skemat e dyshuara të pastrimit të parave përmes investimeve në sektorin e ndërtimit. Hetimet për këtë çështje vijojnë.Versus.al

