BOTA /

Arratisje spektakolare në Australi, shqiptari zhduket gjatë funeralit të të vëllait

Orijol Rukaj, 47 vjeç, arriti t’i shpëtojë mbikëqyrjes së autoriteteve gjatë ceremonisë mortore të zhvilluar në varrezat e Keilor East. Policia ka kontrolluar rreth 20 adresa dhe ka marrë në pyetje familjarë e bashkëpunëtorë të tij.

Shkruar nga Versus

Arratisje spektakolare në Australi, shqiptari zhduket gjatë funeralit

Një ngjarje e pazakontë ka vënë në alarm autoritetet australiane, pasi një shtetas shqiptar i dënuar arriti të arratisej gjatë një lejeje të posaçme për të marrë pjesë në funeralin e të vëllait të tij në Melburn.

Orijol Rukaj, 47 vjeç, arriti t’i shpëtojë mbikëqyrjes së autoriteteve gjatë ceremonisë mortore të zhvilluar në varrezat e Keilor East.

Sipas policisë australiane, ai ishte shoqëruar në funeral nga personeli i burgut, por mes rreth 300 pjesëmarrësve të pranishëm u largua pa u vënë re.

Autoritetet besojnë se Rukaj u ndihmua nga persona të tjerë dhe u largua me një automjet tip Toyota Land Cruiser. Edhe pse kanë kaluar më shumë se gjashtë javë nga arratisja, policia dyshon se ai vazhdon të fshihet në zonën metropolitane të Melburnit.

Policia ka kontrolluar rreth 20 adresa dhe ka marrë në pyetje familjarë e bashkëpunëtorë të tij.

Hetuesit thonë se kanë identifikuar disa persona që dyshohet se ndihmuan në planifikimin e arratisjes, por shumica e tyre ndodhen aktualisht jashtë Australisë.

Rukaj përballet me akuza të rënda për trafik droge dhe sipas policisë australiane ka lidhje me grupe të krimit të organizuar shqiptar./Versus.al

 

Poll