
Nga Anna Lombardi – La Repubblica
Pasditen e së premtes, në Utah, një 25-vjeçar vrau me armë zjarri Charlie Kirk-un, ikonë të krahut të djathtë amerikan dhe themelues i “Turning Point USA”. Menjëherë pas kësaj, filluan teoritë. Të djathtët, në kërkim të një alibie, e paraqitën autorin Tyler Robinson si një “i majtë radikal”.
Disa media raportuan se i riu kishte jetuar bashkë me një person transgjinor: për ta, ky fakt mjaftonte për ta bërë atë një armik politik.
Por ky narrativ u shemb shpejt. Sepse, nga njëra anë, dolën elemente që sugjeronin një lidhje të mundshme të Robinson me supremacistët e bardhë; nga ana tjetër, vetë familja e tij e prishi këtë version duke deklaruar: “Në shtëpi jemi të gjithë Maga” (slogani i Donald Trump “Make America Great Again”).
Kështu, përpjekja për të shndërruar tragjedinë në një mjet propagandistik kundër së majtës, u kthye në një problem për krahun e djathtë radikal.
Robinson dhe e kaluara e tij
Tyler Robinson ishte një djalë me një histori të ndërlikuar. Arrestime për drogë, dhunë dhe një jetë e trazuar midis varësive dhe radikalizmit në rritje. Në të shkuarën kishte shprehur simpati për grupe të ekstremit të djathtë dhe kishte frekuentuar qarqe ku qarkullonin teori konspirative.
Sidoqoftë, menjëherë pas krimit, disa media të djathta u përpoqën të krijonin një narrativ tjetër: ai jetonte me një person transgjinor, pra ishte i majtë, “një radikal woke” që e kishte kryer atentatin për arsye politike. Por ky version nuk zgjati shumë.
Deklaratat e familjes
Familja e Tyler doli publikisht përmes avokatit dhe hodhi poshtë akuzat: “Tyler nuk ishte i majtë. Përkundrazi, në shtëpi kemi qenë gjithmonë përkrahës të Trump, njerëz të djathtë dhe të linjës Maga”.
Një deklaratë që i prishi planet medieve trumpiane, të cilat donin të shfrytëzonin ngjarjen për të akuzuar kundërshtarët politikë.
Lidhjet me supremacistët e bardhë
Ndërkohë, hetimet nxorën në pah elementë që e lidhin Robinson-in me qarqet supremaciste të bardha, përmes kontakteve online dhe pjesëmarrjes në grupe ku përhapen ideologji raciste.
Një fakt i pakëndshëm për të djathtën amerikane, e cila e gjeti veten në pozitë të vështirë: nga njëra anë dëshira për të distancuar aktin nga e djathta, nga ana tjetër realiteti që e vendoste autorin pikërisht në orbitën e ekstremit të djathtë.
Telashe për radikalët e djathtë
Në vend që të shërbente si armë kundër së majtës, vrasja e Charlie Kirk rrezikon të ekspozojë rrymat ekstremiste brenda vetë kampit konservator. Përpjekja për ta paraqitur Robinson-in si “një të majtë radikal” dështoi shpejt, duke hapur diskutime të reja mbi radikalizimin e të rinjve amerikanë dhe lidhjet mes retorikës së urrejtjes dhe dhunës politike./Versus.al







