
Kordonë policie para furrave të bukës, protesta dhe gjuhë e urrejtjes, kjo është çfarë tregojnë pamjet nga Surdullica në jug të Serbisë.
Në rrugët e këtij qyteti të vogël, i cili ka rreth 10 mijë banorë, një pjesë e qytetarëve ditët e fundit po protestojnë për shkak të vdekjes së një bashkëqytetari në një aksident trafiku, e cila ngjalli tensione etnike, pasi i dyshuari për aksidentin është një i ri me kombësi shqiptare.
Edhe pse i dyshuari është arrestuar, në protesta janë parë pankarta që bënin thirrje për bojkotimin e furrave të bukës në pronësi të familjes së të dyshuarit, si dhe janë dëgjuar thirrje për dëbimin e gjithë familjes shqiptare.
Edhe në protestën e 19 shkurtit pati mesazhe të ngjashme.
Goran Mlladenoviq, një nga pjesëmarrësit në protestë, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se familja duhet të largohet nga ai vend sepse, siç u shpreh ai, ajo është “përgjegjëse për ngasjen e pamatur të veturës” nga i dyshuari.
Ai pretendon se protestat nuk janë të motivuara etnikisht.
“Në këto kushte, me këtë sjellje arrogante dhe mënyrën si sillen, mendoj se duhet të largohen. Ai (shoferi) është vetëm 20 vjeç dhe ngiste makinën me një patentë shoferi të Kosovës”, tha Mlladenoviq.
Ndërsa furrat e tij të bukës janë të rrethuara nga policia, gazetarja e REL-it nuk e gjeti pronarin e furrës në vendngjarje. Ai nuk iu përgjigj as thirrjeve dhe as mesazheve të REL-it.
Fushatës së përndjekjes dhe thirrjeve për dëbim u parapriu gjuha e urrejtjes në një grup lokal në aplikacionin për dërgimin e mesazheve, Viber, anëtar i të cilit është edhe ministri në Qeverinë e Serbisë, Novica Tonqev, ish-kryetar i komunës së Surdullicës.
Edhe pse thekson se i mbështet demonstruesit, Tonqev për REL-in thotë se protestat nuk kanë “bazë kombëtare”.
Sulmet dhe thirrjet për linçim i dënoi ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Demo Berisha, duke theksuar se është “e papranueshme që tragjedia të keqpërdoret për përhapjen e urrejtjes, thirrje për dëbim dhe dënim kolektiv mbi bazë të përkatësisë kombëtare”.
Deri në publikimin e këtij teksti, REL nuk ka marrë përgjigje nga Prokuroria kompetente nëse po heton sulmet dhe nxitjen e urrejtjes kombëtare në Surdullicë.
Sipas regjistrimit të vitit 2022, në këtë qytet jetojnë gjithsej gjashtë qytetarë me kombësi shqiptare.
Në njërën anë protesta, e në tjetrën mbështetje
Policia, para protestës së fundit më 19 shkurt në Surdullicë, qëndronte para furrave të bukës “Park” në pronësi të familjes së shoferit të dyshuar, por demonstruesit, ndryshe nga herët e mëparshme, kësaj radhe nuk u mblodhën para tyre, raportoi gazetarja e REL-it.
Dhjetëra persona qëndronin në qendër të qytetit me flamuj të Serbisë dhe pankarta me mesazhin “Drejtësi për Rastkon” (i vdekur në aksident).
Pavarësisht thirrjeve për bojkot dhe sulmeve, tri furrat në pronësi të familjes shqiptare vazhdojnë të punojnë.
Një punonjëse në një nga furrat “Park”, e cila kërkoi të mos i zbulohet identiteti, tha për REL-in se nuk i mbështet protestat.
Ajo shtoi se për punëdhënësin e saj mund të thotë “vetëm fjalët më të mira”.
Ndërsa gazetarja e REL-it po bisedonte me punonjësen, disa persona hynë në furrë për të blerë bukë, por nuk pranuan të flasin.
Në qendër të Surdullicës, REL-i takoi edhe Danijellën, e cila theksoi se nuk e mbështet bojkotin e furrave dhe protestat.
Ajo tha se e njeh pronarin e furrës nga pamja dhe se është kundër përndjekjes së një familjeje të tërë.
“Të përgjigjet ai që e ka kryer (veprën penale)”, tha ajo për REL-in.
Prokuroria në Vlladiçin Han, pranë Surdullicës, njoftoi më 19 shkurt se për aksidentin rrugor po zhvillohet hetim për vepër të rëndë kundër sigurisë së trafikut publik, për shkak të vdekjes së një personi.
Aksidenti ndodhi më 9 shkurt, ndërsa nga prokuroria bëjnë të ditur se i dyshuari B.F. posedon patentë shoferi nga Kosova “e cila iu mor menjëherë gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes nga policia”.
Prokuroria njoftoi gjithashtu se do të urdhërojë ekspertizë “me qëllim që të përcaktohet shkaku i aksidentit, shpejtësia e lëvizjes së automjetit që drejtohej nga i dyshuari, si dhe fakti nëse personit të ndjerë iu ofrua ndihmë mjekësore në kohë”.
Të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa Prokuroria thekson se “në këtë, si në të gjitha procedurat, respektohet prezumimi i pafajësisë”.
Prokuroria theksoi gjithashtu se këtë njoftim e ka lëshuar, ndër të tjera, për shkak të “publikimit të informacioneve të paverifikuara në rrjetet sociale”.
Si nisi?
Protestat në Surdullicë u organizuan përmes rrjeteve sociale dhe aplikacionit për shkëmbim mesazhesh, Viber.
Në rrjetet sociale dhe media u publikuan pjesë nga korrespondenca në grupin Viber “Drejtësi për Rastkon”, i cili thuhet se ka disa qindra anëtarë.
Në këto komunikime, ndër të tjera, bëhet thirrje për bojkotimin e furrave, por edhe për dëbimin e familjes së të dyshuarit.
Gjuha e urrejtjes përshkallëzoi në protesta, ku u sulmua edhe gazetarja Dejana Cvetkoviq, e cila po raportonte nga vendi i ngjarjes.
“Në protestë u sulmova verbalisht dhe u pengova gjatë punës, më drejtonin komente të ndryshme me konotacion seksual. Mendoj se (disa individë) ishin të pakënaqur me raportimin tim, sepse i vendosa protestat në kontekstin e mosdurimit ndëretnik”, tha ajo për REL-in.
Ajo shtoi se protesta e parë u organizua para furrës së familjes së të dyshuarit, kur të pranishmit hodhën vezë në drejtim të objektit.
Cvetkoviq theksoi gjithashtu se në bisedë me pronarin e furrës ka mësuar se pas këtyre ngjarjeve ai ishte detyruar ta evakuonte familjen nga Surdullica, por se as kjo nuk kaloi pa incidente. REL

