Presidenti serb Aleksandër Vuçiç do të udhëtojë drejt Moskës më 9 maj, në një vizitë që përkon me paradën ushtarake të Ditës së Fitores, që kremton triumfin e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë Naziste. Kremlini ka konfirmuar zyrtarisht se gjatë qëndrimit në kryeqytetin rus, Vuçiç do të zhvillojë një takim me presidentin Vladimir Putin.
Ndihmësi i liderit rus, Juri Ushakov, tha për mediat se në agjendë do të jenë diskutimet mbi çështjet bilaterale mes Serbisë dhe Rusisë, si dhe mbi situatën në Ballkanin Perëndimor. “Është e qartë për të gjithë se bashkëpunimi strategjik midis Rusisë dhe Serbisë është konstruktiv dhe i dobishëm për të dyja palët,” u shpreh Ushakov.
Vizita e Vuçiç në Moskë vjen në një moment delikat, pasi më herët është raportuar për një “helmim të mundshëm” të tij gjatë një qëndrimi në Shtetet e Bashkuara – një ngjarje që nuk është konfirmuar zyrtarisht, por që ka ndezur spekulime. Kjo ka bërë që udhëtimi në Rusi të komentohet me ironi nga analistët rajonalë si “shkarkimi i helmit në Amerikë, dhe marrja e antihelmit në Moskë”.
Megjithatë, rruga për në Rusi nuk është pa pengesa për liderin serb. Lituania dhe Letonia kanë refuzuar t’i lejojnë tranzit përmes hapësirës së tyre ajrore, në shenjë kundërshtimi ndaj afërsisë së Beogradit me Moskën, veçanërisht në kohë lufte dhe tensioni mes Rusisë dhe Perëndimit për shkak të agresionit në Ukrainë.
Kjo vizitë përforcon edhe më tej marrëdhëniet e ngushta mes Serbisë dhe Rusisë, në një kohë kur Bashkimi Europian po kërkon më shumë përkushtim nga vendet aspirante për anëtarësim në raport me sanksionet ndaj Kremlinit dhe qëndrimet gjeopolitike. Vizita e Vuçiçit mund të shihet si një sfidë ndaj këtij presioni, ndërkohë që Ballkani mbetet një zonë e ndjeshme në lojën e interesave ndërkombëtare. /Versus.al/








