
Raketa “Oreshnik” – që në rusisht do të thotë “pemë lajthie” – është një raketë balistike hipersonike me rreze të mesme veprimi, e cila është përdorur nga Rusia vetëm një herë më parë kundër Ukrainës, në nëntor të vitit 2024, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Raketa Oreshnik është një sistem i bazuar në raketën RS-26 Rubezh dhe konsiderohet i aftë të mbajë disa koka luftarake që mund të godasin objektiva të ndryshëm në të njëjtën kohë, një karakteristikë që zakonisht lidhet me raketat ndërkontinentale (ICBM).
Ekspertët citojnë se ky sistem mund të mbajë si koka bërthamore, ashtu edhe konvencionale, megjithëse në sulmet e raportuara nuk ka pasur përdorim të komponentëve bërthamorë. Në një sulm të mëparshëm të raportuar nga Ukraina, raketa ka arritur shpejtësi rreth 13.000 km/h.

Presidenti rus Vladimir Putin ka pretenduar se “Oreshnik” është shumë e vështirë për t’u interceptuar dhe ka fuqi shkatërruese të krahasueshme me një armë bërthamore, edhe kur përdoret me ngarkesë konvencionale. Megjithatë, disa ekspertë perëndimorë i kanë cilësuar këto deklarata të ekzagjeruara, duke e quajtur sistemin ende eksperimental dhe të prodhuar në numër të kufizuar.
Sipas Reuters, në një sulm të mëparshëm ndikimi në terren ka qenë i kufizuar, pasi raketa dyshohet se është përdorur pa eksplozivë realë, por me koka të rreme, duke shkaktuar dëme minimale në infrastrukturë.
Analistët ushtarakë thonë se përdorimi i saj ka pasur më shumë qëllim sinjalizimin politik dhe ushtarak ndaj Ukrainës dhe Perëndimit, sesa shkatërrim në shkallë të gjerë, duke synuar të tregojë kapacitetet e avancuara raketore të Rusisë.
Sipas vlerësimeve të ekspertëve të cituar nga Reuters, Rusia mund të ketë sasi të kufizuara të këtij sistemi, ndaj përdorimi i tij pritet të mbetet i rrallë dhe i rezervuar për situata strategjike.

