Të paktën 18 pasagjerë u plagosën në aeroportin e Palma de Majorkës në Spanjë, gjatë një evakuimi emergjent nga një avion Boeing 737 i kompanisë Ryanair, i cili po përgatitej për të fluturuar drejt Mançesterit, në Angli.
Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë Corriere della Sera, gjithçka ndodhi në orët e vona të mbrëmjes së 4 korrikut, kur në bord u sinjalizua për një zjarr të mundshëm. Alarmi rezultoi i rremë, por procedurat e emergjencës u aktivizuan menjëherë.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë dhjetëra pasagjerë që evakuohen me shpejtësi, duke kërcyer nga krahu i avionit, rreth 3 metra mbi tokë. Disa prej tyre pësuan dëmtime në kyçin e këmbës dhe plagë të lehta gjatë zbarkimit.
Sipas deklaratës zyrtare të Ryanair,
“Fluturimi u ndërpre pas ndezjes aksidentale të një drite alarmi për zjarr. Pasagjerët u evakuuan nëpërmjet rrëshqitëseve të emergjencës dhe u kthyen në terminal. Ndihma mjekësore u kërkua menjëherë për pasagjerët e lënduar.”
Ajo që ngre pikëpyetje është fakti se vetëm një rrëshqitëse shpëtimi – ajo në derën e përparme të majtë – ishte në funksion, duke shtyrë disa pasagjerë të kërcejnë nga krahu i avionit, çka mund të ketë shtuar numrin e të lënduarve.
Nga 18 personat e plagosur, gjashtë u transportuan në spital për trajtim mjekësor.
Fluturimi FR3446, i planifikuar për në orën 22:50, u zëvendësua me një avion tjetër, i cili u nis në orën 07:05 të mëngjesit të së shtunës.
Ryanair kërkoi falje publike për situatën dhe shqetësimet e shkaktuara për pasagjerët. /Versus.al







