
Pas disa ditëve pushim për Vitin e Ri, fermerët grekë sot u rikthehen bllokadave e protestave të nisura disa javë më parë për subvencionet dhe kërkesat ndaj qeverisë për bujqësinë.
Nesër ata do të zhvillojnë një takim mbarëkombëtar, i cili do të mbahet në Malgara, ku pritet të vendosen hapat e tyre të mëtejshëm. Në tryezë është përshkallëzimi i mobilizimeve të tyre me bllokada të reja, madje edhe me një zbarkim në Athinë për një tubim në Sintagma.
Fermerët këmbëngulin që për të hyrë në dialog, qeveria duhet të bëjë njoftime thelbësore për të zgjidhur problemet e tyre.
Ndërkohë edhe sot aksi Kakavijë-Janinë do të jetë i bllokuar nga ora 19:00 deri në 22:00, sipas orës lokale greke. Të vetmet automjete që do të lejohen janë ato që do të kenë emergjenca shëndetësore
“Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se më datë 03.01.2026, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët. Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore”, njofton policia. Versus.al

