BOTA /

Friedrich Merz zgjidhet Kancelar i Gjermanisë

Me 325 vota "po" kundër 289 "jo", një abstenim dhe tre vota të pavlefshme, Merz u bë Kancelari i 10-të i Republikës Federale të Gjermanisë.

Shkruar nga Versus

Friedrich Merz zgjidhet Kancelar i Gjermanisë

Lideri konservator gjerman Friedrich Merz u zgjodh Kancelar i Gjermanisë nga parlamenti federal Bundestag në raundin e dytë të martën. 

Kjo erdhi pasi aleanca CDU/CSU me Socialdemokratët (SPD) pa pritur nuk arriti shumicën e nevojshme absolute për kancelarin në përpjekjen e parë.

"Ju falenderoj për besimin dhe e pranoj zgjedhjen", deklaroi Friedrich Merz, pasi u pyet nga Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner a e pranon zgjedhjen.

Që votimi për kancelarët në Gjermani është akt me të panjohura, kjo nuk është e re. Këtu ndikon edhe fakti që kandidati për kancelar zgjidhet me votë të fshehtë.

Ish-kancelari i pasluftës Konrad Adenauer u zgjodh në post me vetëm një votë me tepër se shumica e nevojshme absolute.

Vetëm dy vota më tepër se shumica e nevojshme mori atëherë në votimin për kancelar edhe Helmut Kohl. Kjo nuk i pengoi ata ta drejtojnë përkatësisht 14 vjet dhe 16 vjet Gjermaninë.

Por sot patëm një sensacion: kreu i CDU-së Friedrich Merz nuk u zgjodh në raundin e parë të zgjedhjeve për kancelar në Bundestag.

Në një votim të fshehtë, ai mori 310 vota, gjashtë më pak se shumica e nevojshme prej 316. Grupet parlamentare të koalicionit CDU/CSU dhe SPD kanë një numër prej 328 vendesh në Parlament. "Deputeti Friedrich Merz nuk mori shumicën e kërkuar prej të paktën 316 votash," deklaroi Presidentja e Bundestag-ut Julia Klöckner.

"Në përputhje me Nenin 63 (2) të Ligjit Themelor, Kancelari Federal i Republikës Federale të Gjermanisë nuk është zgjedhur." Sipas Klöcknerit, në votim morën pjesë 621 nga 630 deputetët.

Grupet parlamentare diskutuan procedurën

Kjo ishte e re në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë. Asnjëherë më parë, pas zgjedhjeve të Bundestagut dhe negociatave të suksesshme të koalicionit nuk ka dështuar në Bundestag një kandidat për kancelar. Si rezultat, seanca e Bundestagut u ndërpre. Grupet parlamentare diskutuan se si të vazhdojnë.

Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner, deklaroi më pas se kishte thirrur një raund të dytë për nesër, të mërkurën, për të deklaruar më vonë se raundi i dytë do të mbahej po të martën. Sipas burimeve të Bundestagut, kjo u parapri nga konsultime midis Presidentes të Bundestagut dhe grupeve parlamentare..

Mbështetje nga CDU për Merzin

Kreu i CDU-së, Friedrich Merz, ishte i vendosur të kandidonte përsëri dhe kishte marrë mbështetje dërrmuese në grupin parlamentar. Brenda grupit parlamentar të partive unioniste, u deklarua se partitë unioniste mbështesin Merzin, se kjo është në ADN-në e Unionit. Votat e mbetura mund të vinin vetëm nga SPD-ja. Duartrokitje për Merzin u dëgjuan në sallën e grupit parlamentar të partive unioniste për disa minuta.

Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Carsten Linnemann kërkoi një vendim të shpejtë. Evropës i duhet një Gjermani e fortë, deklaroi Linnemann në Bundestag. Kjo është arsyeja pse nuk mund të presim me ditë të tëra. "Kjo nuk është shaka," deklaroi politikani i CDU. Procedura ligjore po studiohet, tha ai, "sepse nuk ka shumë përvojë në këtë fushë".

Merz dhe bashkëkryetari i SPD-së, Lars Klingbeil, kishin theksuar të hënën (05.05) se kishin një shumicë të qartë të grupeve të ardhshme parlamentare për zgjedhjen e kancelarit. Në mbledhjet e jashtëzakonshme të grupeve parlamentare të mbajtura në mëngjes, si partitë unioniste ashtu edhe SPD konfirmuan se të gjithë deputetët ishin të pranishëm.

Me sa duket, kishte pakënaqësi

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, fakti që deputetët e partive unioniste dhe SPD-ja nuk votuan për Merzin në raundin e parë u shpjegua në qarqet e koalicionit me ekzistencën e një sërë pakënaqësish. Midis tyre mund të ishin politikanë që nuk fituan poste në formimin e qeverisë.

Megjithatë, SPD kishte gjithashtu rezerva themelore për Merzin. Edhe partitë unioniste dyshojnë se votat e munguara erdhën nga SPD-ja, sipas një burimi të konsultuar nga Reuters. Por grupi parlamentar i SPD-së nuk e pa përgjegjësinë për rezultatin që bie brenda radhëve të tij.

"Ne supozojmë se ka konsensus të plotë. Askush nuk mungonte", sipas deklaratave të personave pranë Klingbeilit, të raportuara nga agjencia e lajmeve dpa. Por qarqe të tjera kishin sugjeruar më parë se pakënaqësia me pushtetin e Klingbeilit mund të kishte kontribuar në refuzimin për të dhënë mbështetjen e tij.

Nga ana tjetër tek partitë unioniste, kritika solli ndryshimi i politikës financiare pas zgjedhjeve, me lehtësimin e frenës së borxhit për shpenzimet e mbrojtjes dhe një fond të veçantë prej miliarda eurosh për infrastrukturën.

Friedrich Merz zgjidhet Kancelar i Gjermanisë
Ish-kancelarja Angela Merkel në fillim të seancës për votimin për kancelarin e ri

Seanca e votimit u ndoq në sallë nga një numër i madh të interesuarish. Në mënyrë të veçantë, Presidentja e Bundestagut Julia Klöckner përshëndeti në fillim të seancës në sallë ish-kancelaren Angela Merkel. Deri në zgjedhjen e kancelarit të ri, Olaf Scholz vazhdon të kryejë funksionet si kancelar në detyrë./DW

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: