
Qeveria gjermane po shqyrton seriozisht mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Izraelit për shkak të përkeqësimit të situatës humanitare në Rripin e Gazës.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz deklaroi se një vendim për këtë çështje mund të merret në ditët në vijim, pasi të pranohet një raport i plotë nga Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul, i cili ndodhet aktualisht në një vizitë zyrtare në Lindjen e Mesme për të vlerësuar situatën nga afër.
“Gjendja në Gaza është e papranueshme,” tha Merz në një konferencë për shtyp në Berlin. Ai shtoi se Gjermania nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj vuajtjeve të civilëve palestinezë dhe se çdo vend mik i Izraelit ka përgjegjësi të ngrejë zërin kur standardet humanitare shkelen.
Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul, ishte edhe më i drejtpërdrejtë në deklaratat e tij, duke paralajmëruar se nëse situata në Gaza vazhdon të përkeqësohet dhe nëse nuk ka përparim të dukshëm në përpjekjet për të ndihmuar popullsinë civile, Izraeli rrezikon të përballet me izolim ndërkombëtar. Ai theksoi se bashkësia ndërkombëtare nuk mund të mbyllë sytë përballë krizës në rritje. Versus.al







