
Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë ka goditur një rrjet të mirëorganizuar trafikantësh droge që operonte nga Prizreni dhe përfshinte qytete të tjera si Ferizaj dhe Prishtina.
Operacioni nisi më 11 gusht 2025, kur në Prizren u sekuestruan mbi 4.4 kilogramë kokainë dhe u arrestua Hevzi Krabaj, 31 vjeç. Arrestimi i tij çoi në zgjerimin e hetimeve dhe identifikimin e të dyshuarve të tjerë.
Më 16 gusht 2025, në orët e para të mëngjesit, në Pikën Kufitare të Hanit të Elezit, u ndalua një automjet VW Arteon me targa belge, ku ndodheshin Isak Husmani, 57 vjeç, dhe Elmedina Rexhepi, 30 vjeçe.
Të dy u arrestuan dhe u dërguan në DHTN në Prizren për marrje në pyetje në prani të avokatëve. Dyshohet se këta persona kanë pasur rol kyç në transportin dhe shpërndarjen e kokainës.
Në të njëjtën kohë, DHTN në Ferizaj kontrolloi banesën e Fidan Husmanit, 28 vjeç, në rrugën “Astrit Bytyqi”, por ai nuk u gjet dhe është në arrati. Kontroll u krye edhe në banesën e Elmedina Rexhepit në Prishtinë, pa rezultate konkrete.
Si prova materiale janë sekuestruar dy automjete luksoze: një VW Arteon me targa belge dhe një VW Golf VIII. Hetimet vazhdojnë dhe autoritetet janë në kërkim të Husmanit, i cili dyshohet të jetë një hallkë kyçe në këtë rrjet të trafikut ndërkombëtar të drogës./Versus.al







