Kosovë- Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar me burgim të përjetshëm 2 serbë për sulmin e armatosur në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023.
Konkretisht Bllagoje Spasojeviç dhe Vlladimir Tolliç u dënuan maksimalisht, ndërsa Dushatn Maksimoviç u dënua me 30 vite burg. Ky i fundit ishte i vetmi i pandehur i pranishëm në sallën e gjyqit.
Kujtojmë se në sulmin që ngriti në këmbë autoritetet e Kosovës, mbeti i vdekur oficeri shqiptar Afrim Bunjaku.
Kosova e ka karakterizuar sulmin si akt terrorizmi dhe e ka akuzuar Serbinë për përfshirje - por Beogradi i ka hedhur poshtë pretendimet e autoriteteve në Prishtinë.
Tre të akuzuarit janë pjesë e një grupi prej 45 individëve, ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë rreth një vit pas sulmit në pjesën veriore të Kosovës, duke përfshirë këtu Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, i cili në aktakuzë cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.
Gjykata vendosi ta veçonte procedurën penale ndaj Spasojeviqit, Tolliqit dhe Maksimoviqit, të cilët ndodhen në paraburgim nga shtatori i 2023-tës, kurse për 42 të tjerë refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për gjykim në mungesë. Versus.al

