"Ngushtica e Hormuzit do të hapet vetëm me kushte" - Kështu u shpreh nga një zyrtar iranian, duke e lidhur rihapjen e saj me pagesën e dëmshpërblimeve të luftës nga SHBA.
Konkretisht, zyrtari i komunikimit në zyrën e presidentit iranian deklaroi se Teherani do të lejojë përsëri lundrimin vetëm nëse merr kompensim përmes një "regjimi të ri ligjor" bazuar në tarifat e tranzitit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar se do të shkatërrojë të gjitha termocentralet dhe infrastrukturën energjetike të Iran nëse udhëheqja iraniane nuk pranon të rihapë Ngushticën e Hormuzit deri të martën në mbrëmje.
Ultimatumi i Trump
Në një intervistë 8-minutëshe për "The Wall Street Journal", Trump deklaroi se SHBA ndodhet në një pozicion shumë të fortë dhe paralajmëroi pasoja të rënda për Iranin nëse nuk tërhiqet.
“Nëse nuk i binden, nëse duan ta mbajnë të mbyllur, do të humbasin çdo termocentral dhe çdo strukturë tjetër që kanë në të gjithë vendin”, u shpreh ai.
I pyetur se kur mund të përfundojë lufta, Trump u përgjigj shkurt: “Do t’ju njoftoj shumë shpejt”.
Ai shtoi gjithashtu se dëmet për Iranin do të ishin të mëdha dhe se vendit mund t’i duhen dekada për t’u rikuperuar.
“Do t’i duhen 20 vite për ta rindërtuar, nëse janë me fat, nëse ende ekzistojnë si vend. Dhe nëse nuk bëjnë diçka deri të martën në mbrëmje, nuk do të kenë asnjë termocentral apo urë në këmbë”, deklaroi presidenti amerikan. / VERSUS

