
Itali- Një operacion antidrogë në shkallë të gjerë ka rezultuar në 384 arrestime dhe sekuestrimin e 1400 kilogramëve drogë. Operacioni nxorri në pah metoda të reja të furnizimit dhe përdorimit të narkotikëve.
Sipas mediave italiane, janë identifikuar 95.164 persona si të dyshuar për përfshirjen në trafikun e drogës, mes të cilëve 16.701 të huaj dhe 10.488 të mitur të cilët merreshin me shpërndarjen e drogës në lokalet e natës.
Mes 384 të arrestuarve, 166 prej tyre janë të huaj dhe 6 janë të mitur. Mes të arrestuarve janë edhe pronarë e menaxherë të shpërndarjes së lëndës narkotike në zona të ndryshme. Policia ka identifikuar disa profile në rrjetet sociale të cilat dyshohet se ishin të lidhura me aktivitet kriminal. Si pasojë e operacionit u sekuestruan 1370 kg kanabis, 1 kg heroinë, 35 kg kokainë. Gjithashtu në total janë sekuestruar edhe 300 mijë euro cash dhe 41 armë zjarri.
Ky është një ndër operacionet më të mëdha që policia italiane ka zhvilluar së fundmi, ndërsa tregohet edhe shkalla e gjerë e përhapjes së shpërndarjes së drogës në Itali. Versus.al

