BOTA /

Izraeli kryen sulme të reja në Gaza, vritet komandanti i ri i krahut ushtarak të Hamasit

Në sulm u vranë edhe gruaja dhe dy fëmijët e tij, ndërsa dhjetëra persona të tjerë mbetën të plagosur

Shkruar nga Versus

Izraeli kryen sulme të reja në Gaza, vritet komandanti i ri i krahut

Izraeli ka kryer sulme ajrore në qytetin e Gazës, si pasojë e së cilës mbeti i vdekur kreu i krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Odeh.

Lajmi është konfirmuar nga Hamas.

Në sulm u vranë edhe gruaja dhe dy fëmijët e tij, ndërsa dhjetëra persona të tjerë mbetën të plagosur.

Sulmi ndodhi të martën në qendër të qytetit të Gazës, ku avionët izraelitë goditën ndërtesën shumëkatëshe al-Kayali. Zona ishte e mbushur me qytetarë që po bënin blerjet përpara festës myslimane të Kurban Bajramit.

Sipas dëshmitarëve, të paktën pesë raketa goditën ndërtesën pothuajse në të njëjtën kohë nga drejtime të ndryshme, duke shkaktuar shkatërrime të mëdha në tre katet e sipërme të saj.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit dhe Shin Bet deklaruan se objektivi i sulmit ishte eliminimi i Mohammed Odeh. Sipas tyre, ndërtesat e goditura shërbenin si strehë për të dhe për bashkëpunëtorët e tij, ndërsa lëvizjet e tij ishin monitoruar për muaj me radhë përmes operacioneve të inteligjencës.

Në deklaratën e përbashkët, autoritetet izraelite thanë gjithashtu se kishin goditur një apartament tjetër pranë ndërtesës kryesore, që sipas tyre i përkiste një militanti të Hamasit të përfshirë në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit. Versus.al

Poll