
Kancelari gjerman Friedrich Merz i ka bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të ndalojë luftimet në Ukrainë gjatë Krishtlindjeve.
“Ndoshta udhëheqjes ruse i ka mbetur një fije mirësjelljeje njerëzore dhe të paktën do ta lërë popullsinë të qetë nga ky terror për disa ditë gjatë Krishtlindjeve”, tha Merz në Berlin të hënën në mbrëmje në një konferencë për shtyp me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Me sa duket në përgjigje të vërejtjeve të Merz në lidhje me mirësjelljen njerëzore, Zelensky shtoi, sipas një përkthimi zyrtar: "Nuk ka mbetje të tilla (të mirësjelljes), por gjithçka është e mundur".
Merz i përshkroi sulmet ruse ndaj kopshteve, spitaleve dhe furnizimeve me energji si "terror kundër popullsisë civile".
Ai shtoi se ndoshta një armëpushim gjatë Krishtlindjeve "mund të jetë gjithashtu fillimi i bisedimeve të arsyeshme dhe konstruktive se si mund të arrihet paqja e qëndrueshme në Ukrainë".
Kur u pyet nëse priste një armëpushim deri në Krishtlindje, kancelari gjerman u tregua i kujdesshëm.
"Kjo tani varet tërësisht nga pala ruse", tha ai.
Në Berlin, propozimet e përbashkëta evropiane, ukrainase dhe amerikane ishin zhvilluar gjatë dy ditëve negociatash, tha Merz. Këto tani do t'i paraqiteshin palës ruse.
"Tani varet vetëm nga Rusia nëse një armëpushim mund të arrihet deri në Krishtlindje", theksoi Merz./Versus.al

