
Presidenti amerikan Donald Trump po synon të organizojë një takim trepalësh me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, më 22 gusht. Lajmi vjen pas samitit të Alaskës dhe bisedimeve që Trump zhvilloi me liderët evropianë.
Sipas burimeve, Putin ka vendosur si kusht për paqen tërheqjen e plotë të Ukrainës nga dy provinca lindore Donetsk dhe Luhansk.
Ai është shprehur i gatshëm të ndalojë avancimin në rajonet Kherson dhe Zaporizhia, të cilat do të mbeteshin me “linja të ngrira”.
Në të njëjtën kohë, një burim ukrainas ka bërë të ditur se pala amerikane ka krijuar përshtypjen se Putin mund të negociojë edhe për disa zona të vogla të rajoneve Sumy dhe Kharkiv, që aktualisht ndodhen nën kontrollin rus.
Megjithatë, kjo ofertë shihet si e papranueshme për Kievin, pasi do të kërkonte dorëzimin e territorit më të madh ukrainas në krahasim me atë që Rusia do të “sacrifikonte”. Për më tepër, Putin ka kërkuar që SHBA të njohin sovranitetin e Rusisë mbi territoret që do t’i mbeteshin Moskës në kuadër të një marrëveshjeje paqeje.
Në këtë proces shfaqet edhe Kina si faktor, pasi Putin ka deklaruar se mund të pranojë garanci sigurie për Ukrainën, por duke e përfshirë Pekinin si garantues, duke nënkuptuar kështu kundërshtimin ndaj një force sigurie të përbërë nga trupa të NATO-s.
Nga ana tjetër, Ukraina dhe mbështetësit e saj evropianë po shqyrtojnë idenë e një “koalicioni të vullnetarëve” që do të garantonte sigurinë e saj për të penguar një agresion të ri rus.
Në bisedën telefonike pas samitit të Alaskës, Zelensky është shprehur pozitiv ndaj idesë së garancive të sigurisë të mbështetura nga SHBA.
“Trump theksoi se nuk do të ishte një mision i NATO-s, por Kievi shpreson që SHBA të marrë pjesë në një formë. Ky diskutim pritet të vijojë gjatë vizitës së Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë”.
Zelensky: Rusia po e vështirëson fundin e luftës
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë se po refuzon një armëpushim dhe po e bën më të ndërlikuar arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
“Shohim që Rusia po refuzon thirrjet e shumta për armëpushim dhe ende nuk ka vendosur të ndalë vrasjet. Kjo e komplikon situatën. Nëse nuk janë të gatshëm të japin një urdhër të thjeshtë për ndalimin e sulmeve, do të kërkohet një përpjekje shumë më e madhe që Rusia të pranojë diçka edhe më thelbësore: bashkëjetesën paqësore me fqinjët e saj për dekada”, shkroi Zelensky në një postim në platformën X mbrëmjen e së shtunës./Versus.al







