
SHBA- Emisioni “Jimmy Kimmel Live” do të pezullohet për një kohë të pacaktuar pas komenteve që moderator Kimmel bëri lidhur me vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk duke thënë se republikanët po e përdornin ngjarjen e rëndë për të fituar pikë në publik.
Kryetari i rregullatorit të transmetimeve amerikane i emëruar nga Trump kërcënoi transmetuesit e televizionit për pasoja nëse nuk do të merreshin masa kundrejt prezantuesit.
Rrjeti, të cilin e zotëron Disney, njoftoi të mërkurën në mbrëmje se do ta hiqte shfaqjen e Kimmel nga programi i tij për një kohë ende të pacaktuar.
“Jimmy Kimmel Live! do të pezullohet për një kohë të pacaktuar”, tha një zëdhënës i ABC në një deklaratë. Ky pezullim do të thotë që ABC do të transmetojë një tjetër shfaqje në vend të kësaj.
Donald Trump më vonë e quajti këtë veprim “lajm i shkëlqyer për Amerikën” dhe përgëzoi ABC për “guximin” e saj në një postim në rrjetet sociale. “Kjo i lë Jimmy dhe Seth, dy humbës totalë, në Fake News NBC”, shtoi ai, në një kërcënim të dukshëm për shfaqjet e prezantuesve të emisionit të vonë të NBC, Jimmy Fallon dhe Seth Meyers, dhe dy muaj pas anulimit të shfaqjes së Stephen Colbert.
Vendimi i ABC për të pezulluar Kimmel erdhi vetëm pak minuta pasi një nga pronarët më të mëdhenj të stacioneve televizive në SHBA, Nexstar Media, tha se "kundërshtonte fuqimisht" komentet e tij dhe do të parandalonte çdo episod të Jimmy Kimmel Live! që do të transmetohej në stacionet që zotëron në të gjithë vendin "për të ardhmen e parashikueshme". Sinclair Broadcast Group, i cili zotëron më shumë stacione ABC se çdo konglomerat tjetër televiziv, përfshirë Nexstar, njoftoi se do të transmetonte një homazh për Kirk gjatë orarit të Kimmel të premten. Versus.al







