BOTA /

KQZ në Kosovë nuk certifikoi Listën Serbe, kritika nga BE dhe SHBA

Vendimi për moscertifikimin nga KQZ i Listës Srpska për të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit u kritikua nga Bashkimi Evropian, Serbia, OSBE-ja dhe ambasadorë të vendeve të QUINT-it.

Shkruar nga Versus

KQZ në Kosovë nuk certifikoi Listën Serbe, kritika nga BE dhe

Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë kanë kritikuar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), i cili nuk e certifikoi subjektin politik Lista Srpska për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen më 28 dhjetor. Vetëm dy vota ishin për, nga dy anëtarët e partisë Vetëvendosja në KQZ, ndërsa pesë anëtarët tjerë abstenuan. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë shprehu keqardhje për vendimin e KQZ-së, duke e thënë se kjo "reflekton politizim të procesit zgjedhor nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera, gjë që bie ndesh me parimet e një procesi të rregullt dhe gjithëpërfshirës”.

"Sjellje të tilla janë të dëmshme për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe raportin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të BE-së”, thuhet në reagimin e BE-së.

Edhe misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë theksoi se është "seriozisht i shqetësuar për rritjen e polarizimit politik brenda KQZ-së, i cili reflektohet në sjelljen gjatë votimit që duket se udhëhiqet nga interesa partiake, e jo nga kritere ligjore dhe parime demokratike".

"Sjellja e tillë minon paanshmërinë dhe besueshmërinë që janë thelbësore për një organ të pavarur të administrimit të zgjedhjeve", thuhet në reagimin e OSBE-së.

Reagimi amerikan dhe gjerman
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se "përpjekjet e saj për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë me vizion afatshkurtër dhe përçarës”.

"Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë me vizion afatshkurtër dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla dëmtojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, duke përfshirë rifillimin e dialogut tonë strategjik për të çuar përpara mundësitë për bizneset amerikane dhe të Kosovës”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, nga ana e tij, shkroi se "procesi zgjedhor duhet të jetë i lirë nga manovrimet politike që bëhet nga akterët politikë”.

"Më vjen keq për sjelljen penguese të disa anëtarëve të KQZ në refuzimin për të certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike nga aktorët politikë”, shkroi Rudolph.

Hargreaves: Veprimet dëmtojnë reputacionin e Kosovës
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves tha se veprimet si ky i KQZ-së "e kërcënojnë reputacionin e Kosovës si demokraci multietnike”.

"Jam thellësisht i shqetësuar me përpjekjen e fundit të akterëve politikë për të penguar pjesëmarrjen e Listës Serbe në procesin zgjedhor. Veprime të tilla kërcënojnë ta shkatërrojnë reputacionin e fituar me mund të Kosovës si një demokraci multietnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e ngushtë”, shkroi Hargreaves.

Ndërsa Ministri serb i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq, e cilësoi këtë vendim si "plotësisht të papranueshëm".

"Kjo tregon jo vetëm mungesën e kapaciteteve demokratike, por edhe një qëndrim plotësisht të papranueshëm ndaj tërë një komuniteti kombëtar”, tha Gjuriq. Ai beson se  "me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, ky vendim do të rishikohet”.

LS ka të drejtë të ankohet
Lista Serbe e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka të drejtë të ankohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Kjo është hera e tretë që KQZ nuk e certifikon fillimisht këtë parti, pasi ngjashëm veproi edhe për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit dhe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në të dy rastet e mëhershme, PZAP-ja refuzoi vendimin e KQZ-së. Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lista Serbe i fitoi 9 prej 10 ulëseve të garantuara për pakicën serbe në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa në zgjedhjet lokale të 12 tetorit ajo i fitoi të gjitha 10 komunat me shumicë serbe, duke u rikthyer në pushtet pasi në vitin 2022 i kishte braktisur institucionet e Kosovës.

KQZ gjatë mbledhjes së fundit bëri të ditur se për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit  kanë aplikuar 24 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Në këtë mbledhje, KQZ certifikoi 22 subjekte politike. DW

Poll