Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi të martën se Izraeli ka zhvilluar vazhdimisht konsultime gjatë ditëve të fundit për kthimin e pengjeve të mbetura që mbahen nga Hamasi në Gaza.
“Izraeli nuk ka ndaluar përpjekjet për të arritur një marrëveshje armëpushimi me Hamasin që nga kthimi i delegacionit tonë nga bisedimet në Katar javën e kaluar,” tha Netanyahu në deklaratën e tij.
“Por ekziston një pengesë e madhe, dhe të gjithë e dinë, është Hamasi. Ata vazhdojnë të refuzojnë. Presidenti Trump e tha, Witkoff e tha, ne e themi, të gjithë ata që njohin faktet, përfshirë ndërmjetësuesit, e dinë këtë,” shtoi ai, duke iu referuar Presidentit amerikan Donald Trump dhe të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff.
Netanyahu theksoi se Izraeli nuk do të dorëzohet. “Do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi, në çdo mënyrë. Jemi të përkushtuar t’i kthejmë pengjet në shtëpi.”
Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli tërhoqën ekipet e tyre negociatore nga Katari, ku po zhvilloheshin bisedimet për armëpushim. Steve Witkoff deklaroi se përgjigjja e fundit e Hamasit “tregon qartazi mungesë vullneti për të arritur një marrëveshje”.
Ndërkohë, një burim i afërt me delegacionin e Hamasit tha të hënën se grupi po e ashpërson qëndrimin e tij në bisedimet e ardhshme, pas tërheqjes së ekipeve izraelite dhe amerikane nga negociatat.







