BOTA /

Ku është Putini? Si po e fsheh Kremlini vendndodhjen e tij me tri zyra pothuajse identike (FOTOT)

Shkruar nga Versus

Ku është Putini? Si po e fsheh Kremlini vendndodhjen e tij me tri zyra

Në një raport të transmetuar më 11 tetor 2020, një gazetar i televizionit shtetëror rus u tregon me entuziazëm shikuesve çfarë i pret: pjesë nga një intervistë me presidentin Vladimir Putin dhe, ndër të tjera, lajme për testimin e një rakete hipersonike, për të cilën Moska ishte mburrur kamotshëm.

“Pas intervistës, më shumë punë”, thotë gazetari, duke përsëritur narrativin e Kremlinit se Putini punon pa pushim për të mbajtur vendin të sigurt dhe të fortë.

Një mbishkrim në këndin e ekranit thotë “Novo-Ogariovo” – rezidenca kryesore presidenciale në periferi të Moskës – dhe në video shfaqet Putini duke u drejtuar drejt derës së zyrës së tij dhe duke zgjatur dorën për ta hapur.

Dhe aty qëndron e vërteta: pozicioni i dorezës së derës dhe disa hollësi të tjera tregojnë se pamjet nuk janë filmuar aspak në Novo-Ogariovo, sipas një hulumtimi të Radios Evropa e Lirë (REL).

Në fakt, ato janë xhiruar më shumë se 1.500 kilometra në jug, në një zyrë pothuajse identike në Boçarov Ruçei, një rezidencë shtetërore në Soçi, në brigjet e Detit të Zi.

Njësia hulumtuese ruse e REL-it, Systema, zbuloi se në Novo-Ogaryovo nuk ndodhet vetëm një, por dy kopje të zyrës së Putinit – një në Soçi dhe një në Valdai, afërsisht në mes të Moskës dhe Shën Petersburgut – dhe se Kremlini ka mashtruar publikun për vendndodhjen e presidentit qindra herë gjatë viteve të fundit.

Në shumicën e rasteve të dokumentuara nga Systema, takimet që supozohej se ndodhën në Novo-Ogariovo në të vërtetë ishin xhiruar në Soçi ose në Valdai - një qytet pranë liqenit, me pyje të dendura, që Putini e ka preferuar që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, i cili ka nxitur sulme me dronë ndaj caqeve ushtarake e industriale në Rusi.

Ky hulumtim tregon një Kremlin shumë sekret që ka mashtruar rregullisht publikun për vendndodhjen e Putinit në vitet e fundit. Ai gjithashtu ngre dyshime mbi kohën e takimeve dhe bisedave që administrata e Putinit i bën publike.

Në një raport hulumtues të publikuar në gusht, Systema zbuloi se të paktën pesë takime të Kremlinit që supozohej të kishin ndodhur në prill ose maj, në fakt ishin filmuar muaj më parë. Putini e ka vazhduar këtë mashtrim edhe këtë vjeshtë: që nga gushti, Kremlini ka publikuar të paktën shtatë video të vjetra, duke i paraqitur si të reja, sipas Systema.

Pas derës numër 1...
Systema arriti në përfundimin për tri zyrat pothuajse identike duke analizuar rreth 700 video të publikuara nga administrata e Putinit, ose të transmetuara në televizionin shtetëror, si dhe duke shqyrtuar imazhe të postuara në faqen e Kremlinit.

Gazetarët analizuan gjithashtu materiale të shumta, përfshirë postime në rrjete sociale dhe të dhëna të udhëtimeve të zbuluara, që përshkruanin planet dhe udhëtimet reale të njerëzve pranë rrethit të Putinit, si personeli i sigurisë dhe gazetarët e televizionit shtetëror që e mbulojnë atë.

Raporti i tetorit 2020 është një shembull i thjeshtë, por tronditës.

Ku është Putini? Si po e fsheh Kremlini vendndodhjen e tij me tri zyra

Në zyrën e Novo-Ogariovo, doreza e derës pranë tavolinës së Putinit është vendosur pak më poshtë se një vijë ndarëse që ndan panelet e murit në të dy anët. Ky është fakt që dallohet qartë nga pamjet dhe fotografitë e dhomës, përfshirë imazhe nga kompania që kishte shtruar parketin atje.

Por, në pamjet ku Putini zgjat dorën për ta kapur dorezën, ajo është pak më lart se vija e murit, një ndryshim prej vetëm disa centimetrash, por i pamohueshëm. Kjo tregon se intervista është filmuar në Soçi, jo jashtë Moskës.

Ndër hollësitë e tjera që zbulojnë mospërputhje mes vendndodhjes së deklaruar dhe asaj reale të takimeve të shumta që supozohej se mbaheshin në Novo-Ogariovo janë: modelet në kravatat e Putinit, forma e mbajtëses së televizorit, ngjyra e tavolinës dhe korniza e tabakasë së dokumenteve në tryezë.

Systema konfirmoi këto gjetje duke analizuar dokumente udhëtimi të Putinit. Për shembull, një intervistë televizive në gusht 2020 që Kremlini pretendoi se ishte zhvilluar në Novo-Ogariovo, në fakt duket se ishte xhiruar në Soçi, duke gjykuar nga hollësitë, përfshirë dorezën e derës.

Dhe vërtet, një biletë elektronike e blerë nga një agjenci udhëtimesh me lidhje me Kremlinin dhe e siguruar nga Systema tregonte se gazetari Sergei Brilyov kishte fluturuar nga Soçi në Moskë më 27 gusht, ditën kur intervista u transmetua në televizionin shtetëror.

Ku është Putini? Si po e fsheh Kremlini vendndodhjen e tij me tri zyra

Këto dhe dokumente të tjera të brendshme të televizionit shtetëror rus u siguruan nga gazetarët e Systema përmes emaileve të zbuluara nga kompania VGTRK, të ofruara nga Projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP).

Udhëtimet që tradhtojnë
Pamje të xhiruara në shtator 2020 supozohej të ishin nga Novo-Ogariovo. Por në një email që e ka parë Systema, një producent televiziv kërkonte organizimin e një udhëtimi në Soçi për gazetarin e njohur Pavel Zarubin dhe disa anëtarë të ekipit.

Zarubin, bashkautor i një emisioni javor në televizionin shtetëror, Rossia-1, që fokusohet tek Putini, ka udhëtuar shpesh në Soçi dhe ka sjellë pamje që më pas Kremlini i ka paraqitur sikur janë xhiruar në Novo-Ogariovo, zbuloi Systema.

Një dokument i zbuluar udhëtimi dhe një pjesë e shkurtër e një prej emisioneve të Zarubinit treguan se një anëtar i stafit të sigurisë presidenciale kishte qëndruar një natë në Soçi në të njëjtën periudhë kur pamjet e Putinit, që supozohej të ishin nga Novo-Ogariovo, por në fakt ishin xhiruar në Boçarov Ruçei, u regjistruan në tetor 2021.

Përveç dorezës së derës, ka edhe dallime të tjera midis zyrës në Novo-Ogariovo dhe asaj në Boçarov Ruçei: pozicioni i vijës ndarëse në mur pas Putinit dhe forma e këmbëve mbajtëses të televizorit.

Rezidenca e Boçarov Ruçei është përdorur nga drejtuesit sovjetikë që prej Nikita Hrushovit, liderit sovjetik nga 1953-65 e më pas pasuesit të tij Leonid Brezhnevit. Ndërtesa e vjetër, e ndërtuar në vitet ’50, u rrëzua dhe u zëvendësua me një të re para Lojërave Olimpike Dimërore Soçi 2014.

Pamjet e regjistruara pas ceremonisë së hapjes tregojnë një pritje me figura kulturore ruse, përfshirë Putinin dhe Alina Kabaevën, kampione olimpike në gjimnastikë ritmike në 2004, për të cilën raportohet gjerësisht se është partnerja e tij dhe nëna e të paktën dy fëmijëve të tij.

Gjatë viteve, Putini ka pritur shumë liderë dhe zyrtarë rusë në Boçarov Ruçei. Gjatë pandemisë COVID-19, për një pjesë të madhe të viteve 2020–2021, rreth një e treta e takimeve që supozohej të ishin në Novo-Ogariovo, në fakt u mbajtën në Soçi, sipas provave të shqyrtuara nga Systema.

Ai ka kaluar gjithashtu shumë kohë në Valdai, ku mban takime në një zyrë që duket shumë si ajo në afërsi të Moskës dhe në Soçi.

Izolim dhe siguri
Vitet e fundit, Putini e ka preferuar gjithnjë e më shumë Valdain. Ai është larguar pothuajse plotësisht nga Boçarov Ruçei që nga shkurti 2023, një vit pas fillimit të pushtimit të Ukrainës.

Pamjet dhe materialet e tjera të shqyrtuara nga Systema sugjerojnë se pothuajse të gjitha takimet e filtruara si nga Novo-Ogariovo në vitin 2025 në fakt janë zhvilluar në Valdai. REL

Poll