
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur qytetin Guayaquil në Ekuador, ku tre persona u vranë gjatë një sulmi të armatosur në një fushë futbolli, në prani të lojtarëve dhe qytetarëve të tjerë.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë nga një komunitet i mbyllur pranë zonës portuale, tre persona të armatosur, të maskuar dhe të veshur si oficerë policie, hynë papritur në fushë gjatë zhvillimit të një ndeshjeje dhe hapën zjarr ndaj objektivave të tyre. Ngjarja shkaktoi panik, ndërsa lojtarët u shtrinë në tokë për t’u mbrojtur.
Sulmi zgjati vetëm pak minuta, pas së cilës autorët u larguan me shpejtësi. Pas incidentit, autoritetet gjetën edhe dy trupa të tjerë të pajetë në zonën përreth.
Sipas medias ekuadoriane El Universo, para sulmit autorët kishin neutralizuar rojet e sigurisë së komunitetit, duke u marrë armët dhe duke i lidhur, çka u dha mundësi të vepronin pa pengesa.
Një nga viktimat është identifikuar si Stalin Rolando Olivero Vargas, i njohur me nofkën “Marino”, një figurë e njohur e bandës kriminale “Los Lagartos”, e cila operon në disa zona të jugut të Guayaquil. Policia dyshon se ai ishte objektivi kryesor i sulmit dhe se ngjarja lidhet me përplasje mes grupeve rivale.
Dy viktimat e tjera janë Jefferson Xavier Salon Olivero (33 vjeç) dhe Richard Josue Mina Vergara (29 vjeç), të cilët, sipas autoriteteve, kishin precedentë penalë, përfshirë vepra të rënda kriminale.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, në një vend ku dhuna e lidhur me krimin e organizuar mbetet një shqetësim serioz për sigurinë publike.
Kujdes! Pamje të rënda!

