
Presidenca e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi dekretin e Vjosa Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit duke theksuar se nuk ka asnjë fuqi juridike. Presidenca shprehet se Osmani nuk ka kryer asnjë shkelje kushtetuese.
“Presidentja e Republikës së Kosovës e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastet nr. KO 72/26 dhe KO 74/26, i cili i konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca në Gjykatën Kushtetuese rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se Presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese", thuhet në njoftim.
Presidenca argumenton se Gjykata ka sqaruar edhe çështjen e afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.
“Vetë Gjykata Kushtetuese e konfirmon se afati 60-ditor duhet të konsumohet para afatit 30-ditor të paraparë në nenin 86.2 të Kushtetutës, dhe se ky afat 30-ditor para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual është përfundimtar dhe detyrues, si dhe nuk mund të relativizohet".
Sipas institucionit, përgjegjësia për zgjedhjet nuk lidhet me dekretin presidencial, por me Kuvendin duke bërë thirrje që të caktohet që nesër seanca për zgjedhjen e presidentit.
“Gjykata, në asnjë paragraf të aktgjykimit të saj, nuk ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentes. Përkundrazi, ka konfirmuar se nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces të zgjedhjeve. Në vend të deklarimeve të tilla të paqëndrueshme, ftojmë Kuvendin e Kosovës që qysh nesër ta caktojë datën e seancës së re për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe ta kryejnë detyrimin për të cilin janë zgjedhur, duke i dhënë vendit stabilitet dhe siguri"- thuhet më tej. Versus.al

