
Presidenti rus Vladimir Putin ka emëruar Andrei Buliga, i cili prej vitit 2024 ka shërbyer si zëvendësministër i Mbrojtjes, në postin e zëvendëssekretarit të Këshillit të Sigurisë së Rusisë, një prej institucioneve më të fuqishme në strukturën e pushtetit në Moskë.
Lajmi u publikua nga agjencitë shtetërore ruse, të cilat citonin një dekret presidencial të nënshkruar nga vetë Putini. Në të njëjtën kohë, gjenerallejtënant Alexander Sanchik, që më parë ka komanduar rajonin ushtarak jugor të Rusisë, është emëruar zëvendësministër i ri i Mbrojtjes, duke zëvendësuar Buligën në këtë rol.
Mungesa e Lavrov ndez spekulime në Moskë
Ndërkohë, mungesa e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurisë ka ngjallur spekulime të shumta për tensione të brendshme në Kremlin.
Në atë takim, Putin kërkoi nga zyrtarët e tij të lartë të hartonin propozime për një provë të mundshme të armëve bërthamore, por Lavrov një nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit për më shumë se dy dekada nuk ishte i pranishëm.
Sipas analizës së Sky News, kjo mungesë “ngre pyetje të forta mbi pozicionin e diplomatit më të lartë të Moskës” dhe sinjalizon mundësinë e një ftohjeje të marrëdhënieve me Putinin.
“Mungesë e koordinuar” apo sinjal politik?
Gazeta ruse Kommersant raportoi se mungesa e Lavrov ishte “e koordinuar paraprakisht”, megjithatë fakti ka shkaktuar valë thashethemesh në qarqet politike ruse. Dyshimet janë rritur sidomos pas vendimit të Kremlinit për të dërguar një zyrtar më të ri në samitin e ardhshëm të G20, një rol që tradicionalisht i është besuar vetë Lavrovit.
“Vetëm ky episod do të mjaftonte për të ndezur dyshime, por në kombinim me ndryshimet në diplomacinë ruse, lind pyetja nëse Lavrov është lënë mënjanë,” – shkruan Sky News.
Megjithëse Kremlini mohoi zyrtarisht çdo përçarje, komentatorët vërejnë se mohimi nuk ka mjaftuar për të shuar zërat për rënien e Lavrov në disfavor politik.
“Kokëfortësia e Lavrov” dhe përplasja me Shtëpinë e Bardhë
Sipas Financial Times, tensionet midis Putinit dhe Lavrovit janë thelluar pas anulimit të samitit Putin–Trump në Budapest, muajin e kaluar. Vendimi, sipas burimeve të gazetës britanike, erdhi pas një telefonate mes Lavrov dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, gjatë së cilës diplomati rus u tregua “tepër kokëfortë” në komunikim.
Ky incident, thuhet në raport, shtyu Shtëpinë e Bardhë të tërhiqej nga takimi dhe i thelloi përçarjet në majat e pushtetit rus, në një moment kur Moska përballet me presione të brendshme dhe të jashtme në rritje.
