
Ditën e djeshme pati reagime të shumta pas njoftimit të bërë nga presidenti i Francës Emanuel Macron për njohjen e shtetit të Palestinës në shtator të këtij viti.
Izraeli e hodhi poshtë fuqishmisht këtë ide, ndërsa ka ardhur edhe reagimi i presidentit të SHBA-ve Donald Trump i cili është shprehur për mediat se qëndrimet apo deklaratat e Macronit nuk kanë asnjë lloj peshe apo rëndësie.
"Çfarë thotë Macron nuk ka rëndësi, nuk ka asnjë peshë. Por ai është një djalë i mirë”- u shpreh Trump mes të tjerash.
Sekretari i Shtetit Rubio e kishte refuzuar më parë propozimin, duke shpjeguar se "Shtetet e Bashkuara e refuzojnë me vendosmëri planin e Macron".
Propozimi nuk gjeti mbështetje as nga Ministri i Jashtëm Italian Antonio Tajani.
"Italia mbështet zgjidhjen me dy popuj, dy shtete, por njohja e shtetit të ri palestinez duhet të ndodhë njëkohësisht me njohjen e Shtetit të Izraelit", shpjegoi ai.
Gjermania nga ana tjetër u përpoq të shmangte çdo lloj komenti që e përfshin drejtëpërdrejt në të dyja anët e medaljes duke thënë se nuk ka ndërmend të njohë një shtet palestinezi brenda një kohe të shkurtër.
"Rusia gjithmonë ka mbështetur" zgjidhjen me dy shtete midis Izraelit dhe Palestinës për t'i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme, komentoi zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Ndërkohë të tre shtetet e mëdha të Evropës, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe kanë rënë dakord se në Gaza po ndodh një katastrofë humanitare që duhet të ndalet sa më shpejt. Versus.al







