Cepi juglindor i Evropës, përfshirë Kosovën, po shndërrohet në terrenin ku shtetet më të fuqishme përpiqen të zhvendosin një nga dilemat e tyre: çfarë të bëjnë me migrantët që nuk i duan brenda kufijve të vet?
Së fundi, Kosova është pajtuar të strehojë 50 migrantë nga shtete të treta që qëndronin në SHBA, ndërsa ka shprehur gatishmëri për të strehuar edhe azilkërkuesit e refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar.
Qeveria e Kosovës, bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme që do ta ketë për detyrë zbatimin e marrëveshjes me SHBA-në, nuk janë përgjigjur në pyetjet e Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë temë.
Se çfarë fiton Kosova nga kjo marrëveshje, nuk kanë treguar as nga Departamenti amerikan i Shtetit, që vetëm ka thënë se SHBA-ja i është “mirënjohëse partnerit tonë, Kosovës, për pranimin e shtetasve të vendeve të treta, të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara”.
Më vonë, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, e falënderoi Kosovën në X, duke thënë se ajo u bë “vendi i parë në Evropë që njoftoi se do të pranojë shtetas nga vendet e treta që dëbohen nga Shtetet e Bashkuara”.
“Sigurimi i kufirit amerikan është prioritet kryesor i administratës Trump dhe unë i çmoj Qeverinë dhe popullin e Kosovës për partneritetin e tyre”, shtoi ajo.
Çka fiton Kosova?
A përbëjnë këto marrëveshje vërtet përparim strategjik për Kosovën? Donika Emini, nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit, thotë se këto marrëveshje duhet të kuptohen “si një formë bashkëpunimi bilateral, dhe jo si një moment transformues në pozicionimin ndërkombëtar të Kosovës”.
“Kjo e forcon imazhin e Kosovës si partnere e besueshme, por nuk e ndryshon thellësisht dinamikën e marrëdhënieve, veçanërisht kur çështje kyçe politike, si dialogu Kosovë-Serbi, vazhdojnë të jenë burim tensioni në mes të dy vendeve”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë.
Si dëshmi për këtë, ajo përmend një marrëveshje mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë për refugjatët sirianë, që thotë se tregon që “bashkëpunimi në menaxhimin e migracionit nuk përkthehet domosdoshmërisht në përmirësim të marrëdhënieve më të gjera, nëse mosmarrëveshjet politike më të thella mbeten të pazgjidhura”.
Edhe ish-ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, thotë se nuk është e mjaftueshme që Kosova të tregojë se dëshiron ta ndihmojë SHBA-në në adresimin e sfidave të saj.
“Gjestet simbolike të këtij lloji, ndonëse të rëndësishme dhe të dobishme, duhet të shoqërohen me një qasje më të gjerë që siguron se Kosova nuk është në listën e problemeve”, thotë Hill për Radion Evropa e Lirë.
Por, Kosova nuk është e vetmja në Ballkan që po pranon përgjegjësi të tilla për menaxhimin e migrantëve.
Shqipëria ka marrëveshje me Italinë për të pranuar migrantët, Maqedonia e Veriut është përmendur si vend potencial për marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa, Bosnje e Hercegovina ka bashkëpunim me BE-në për menaxhimin e migracionit, duke pranuar fonde dhe mbështetje për qendra pritjeje.
Në fund të muajit të kaluar, organizata Human Rights Watch (HRW) i bëri thirrje Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian që të mos e përdorin Ballkanin si “magazinë për migrantët”.
Michael Bochenek, nga kjo organizatë, thotë për REL-in se Ballkani është bërë cak i planeve të tilla të shteteve më të fuqishme për disa arsye.
“Vendet e Ballkanit nuk kanë historik vërtet të tmerrshëm të shkeljeve të të drejtave të njeriut [krahasuar me vendet e tjera që janë përdorur për këto plane, si Ruanda, Sudani Jugor, Libia]”, thotë ai.
Bochenek shton se rol luan edhe ndikimi që Bashkimi Evropian ka në shtetet e këtij rajoni.
“Për mirë a për keq, këto qeveri mund të kenë një ndjenjë detyrimi ndaj Bashkimit Evropian dhe për këtë arsye mund të jenë më të hapura ndaj këtyre lloje kërkesash”, thotë Bochenek.
Pse po flasim për Bashkimin Evropian?
Për tri arsye kryesore, thotë Olivia Sundberg Diez, nga organizata Amnesty International, që ka shumë vite që monitoron e kritikon marrëveshjet e tilla.
Janë tre hapa, thotë ajo, që Bashkimi Evropian i ka ndërmarrë së fundi që procesimi i migrantëve të bëhet jashtë kufijve të BE-së, si mënyrë për t’u përballur me një valë të madhe migrantësh.
Në muajt e fundit, Bashkimi Evropian ka sjellë propozime që mundësojnë refuzimin e kërkesës për azil të një aplikuesi, me arsyetimin se ai mund të kërkojë azil edhe diku tjetër; lehtësimin e refuzimit dhe dëbimin e azilkërkuesve nga shtete që BE-ja i cilëson të sigurta, si dhe mundësinë që azilkërkuesit e refuzuar të dërgohen edhe në shtete me të cilat s’kanë asnjë lidhje.
“Ka një përpjekje të qëllimshme për të zhvendosur përgjegjësinë për mbrojtjen e refugjatëve në vende jashtë BE-së, pa garanci të qarta ligjore dhe me shumë paqartësi për përgjegjësinë”, thotë Diez për REL-in.
E, diskutimi se ku mund të ndërtohen qendrat e tilla të kthimit për migrantët që synonin BE-në, por që u është refuzuar kërkesa për azil, ka përfshirë pikërisht vendet e Ballkanit Perëndimor.
Emini thotë se këto shtete duhet ta kuptojnë se marrëveshjet e tilla sjellin përfitime, si investime apo mbështetje specifike, por jo progres drejt anëtarësimit në BE.
“Në të ardhmen, Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të synojnë të pozicionohen jo thjesht si ofrues të shërbimeve të ndjeshme, që shtetet më të pasura nuk duan t’i marrin përsipër, por si aktorë proaktivë dhe strategjikë në arenën ndërkombëtare”, thotë Emini, duke shtuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor po “instrumentalizohet pa përfitime reale dhe afatgjata”.
Në një marrëveshje të ngjashme që po ashtu kishte nxitur kritika, në vitin 2022, Kosova dhe Danimarka u pajtuan për dhënien me qira të 300 qelive burgu në Institucionin Korrektues në Gjilan, për të strehuar të burgosur të huaj që pritet të dëbohen nga Danimarka pas përfundimit të dënimit. REL







