
Përmbytje masive, rrëshqitje dheu, stuhi të fuqishme dhe ciklone të paprecedenta kanë goditur rëndë Azinë Jugore dhe Azinë Juglindore, duke shkaktuar një bilanc tragjik me mbi 2 mijë persona të vdekur dhe të zhdukur. Situata më dramatike raportohet në Indonezi dhe Sri Lanka, të ndjekura nga Tajlanda, India dhe Malajzia.
Indonezia është vendi më i prekur nga fatkeqësitë natyrore. Sipas Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive, deri më tani janë konfirmuar 995 viktima, ndërsa 226 persona rezultojnë ende të zhdukur në ishullin e Sumatrës. Mbi 5 mijë persona kanë mbetur të plagosur, ndërkohë që operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë pa ndërprerje.
Më shumë se 3.2 milionë banorë janë prekur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në provincat Sumatra e Veriut, Sumatra Perëndimore dhe Aceh, ku dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Edhe Sri Lanka po përballet me pasoja shkatërruese nga cikloni Ditwah, i cili goditi vendin më 17 nëntor. Sipas Qendrës së Menaxhimit të Fatkeqësive, numri i viktimave ka shkuar në 640, ndërsa 211 persona rezultojnë ende të zhdukur. Përmbytjet kanë prekur mbi 1.6 milionë njerëz dhe kanë shkaktuar dëme në rreth 110 mijë banesa, nga të cilat më shumë se 5.700 janë shkatërruar plotësisht.
Situata mbetet alarmante edhe në vende të tjera të rajonit. Javën e kaluar, OKB-ja raportoi se të paktën 185 persona kanë humbur jetën në jug të Tajlandës, ndërsa 467 të tjerë janë ende të zhdukur.
Ndërkohë, katër viktima janë shënuar në Indi dhe tre në Malajzi, si pasojë e kushteve ekstreme të motit.
Autoritetet lokale dhe organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë se bilanci mund të rritet, ndërsa ndryshimet klimatike po e bëjnë gjithnjë e më të shpeshtë dhe më shkatërrues motin ekstrem në rajon. / VERSUS

