BOTA /

Mbyllet epoka e gjatë në pushtet, Orban pranon humbjen! Skandalet e vazhdueshme që tronditën qeverisjen 16 vjeçare

Shkruar nga Versus

Mbyllet epoka e gjatë në pushtet, Orban pranon humbjen! Skandalet e

Pas 16 vitesh në pushtet, epoka e Viktor Orban mund të konsiderohet e mbyllur në Hungari. Ai mbajti një fjalim të shkurtër pas humbjes së zgjedhjeve duke e pranuar humbjen.

“Rezultati i zgjedhjeve është i dhimbshëm për ne, por i qartë”- u shpreh ai.

Orban përgëzoi partinë fituese të opozitës, ‘Tisza’ të Péter Magyar, ndërsa shprehu se partia e tij nuk ka punuar kurrë kaq shumë në asnjë fushatë zgjedhore dhe falënderoi 2,5 milionë hungarezët që votuan për partinë e tij..

“Ne do t’i shërbejmë vendit tonë dhe kombit hungarez nga opozita”, tha ai.

Mirëpo gjatë 16 viteve të drejtimit të Orban, Hungaria u përfshi nga një sërë skandalesh të cilat edhe e dobësuan imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Mes rasteve më të bujshme ishte dorëheqja e presidentes së vendit pas një rasti pedofilie që u bë publik në vitin 2024. Ky skandal shkaktoi protesta masive në Budapest dhe u cilësua nga opozita si kriza më e madhe politike e epokës Orbán, duke nxjerrë në pah dobësitë e institucioneve dhe mungesën e transparencës në pushtet.

Tjetër element i rëndësishëm ka qenë pasurimi i elitave të afërta me kryeministrin. Familja e Orban dhe miqtë e tij të ngushtë, si Lorinc Meszaros, kanë përfituar kontrata publike dhe fonde të Bashkimit Europian, duke u bërë ndër më të pasurit në vend.

Media raportuan prona luksoze dhe shfaqje të hapura të luksit, si rezidenca e babait të Orban me zebra në oborr, që u kthye në simbol të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Këto raste kanë sjellë kritika të ashpra nga BE, e cila ka akuzuar Hungarinë për keqpërdorim të fondeve europiane.

Një skandal i veçantë që ekspozoi hipokrizinë e partisë Fidesz ishte ai i eurodeputetit Jozsef Szajer në vitin 2020. Ai u kap në Bruksel duke marrë pjesë në një festë seksi “gay”, në kundërshtim me ligjet e izolimit gjatë pandemisë, ndërsa policia gjeti drogë në çantën e tij.

Szajer, një nga themeluesit e Fidesz dhe arkitekt i kushtetutës konservatore të Hungarisë, u përpoq të largohej duke zbritur në një tub kullues. Dorëheqja e tij dhe falja publike për “një dështim personal” u panë si dëshmi e hipokrizisë së partisë që ndërtonte reputacionin mbi retorikën anti-LGBT dhe vlerat tradicionale.

Gjithashtu përveç këtyre skandaleve individuale, Bashkimi Europian ka kritikuar vazhdimisht Orbanin për dobësimin e demokracisë dhe kontrollin e institucioneve duke u fshehur nën petkun e konservatorizmit. Sipas raporteve të mëhershme të BE, mediat, gjyqësori dhe administrata publike ishin totalisht nën ndikimin e pushtetit duke e kthyer Hungarinë në shtet me “autokraci elektorale”.

Zgjedhjet e vitit 2026 u cilësuan si më të rëndësishmet që nga rënia e komunizmit, me opozitën që për herë të parë kishte shanse reale për të sfiduar pushtetin e tij, duke e bërë të pasigurt të ardhmen politike të Orbán.

Rezultati i djeshëm shënon një kthesë të madhe për Hungarinë, duke mbyllur një kapitull të gjatë nën sundimin e Viktor Orban dhe duke hapur një epokë të re nën drejtimin e Peter Magyar. Për shumë qytetarë, kjo fitore është jo vetëm një ndryshim politik, por edhe një shpresë për një Hungari më demokratike dhe më të besueshme në arenën ndërkombëtare. Versus.al

Poll