Rreth 110,000 njerëz morën pjesë në një tubim në Londër të shtunën, të thirrur nga aktivisti britanik i ekstremit të djathtë Tommy Robinson, vlerësoi policia e Londrës. Nëntë persona u arrestuan nga policia e Londrës, e cila tha se u përballën me "dhunë të papranueshme".
I prezantuar nga Tommy Robinson si një tubim në favor të "lirisë së shprehjes", ky takim vjen pas një vere të shënuar nga demonstrata kundër imigracionit përpara hoteleve britanike që strehojnë azilkërkues, të transmetuara gjerësisht në rrjetet sociale nga aktivisti.
9 persona u arrestuan gjatë demonstratës, tha policia e Londrës në X, duke thënë se ata u përballën me "dhunë të papranueshme". Policia "u sulmua me shqelma dhe grushte. U hodhën shishe, fishekzjarrë dhe predha të tjera", tha policia.
Imazhet ajrore të transmetuara nga stacionet televizive tregojnë një det me flamuj britanikë dhe anglezë që përmbytin rrugët e Londrës qendrore. Kërkesat, të ndryshme, variojnë nga liria e shprehjes deri te kryeministri Keir Starmer, të cilit po i kërkohet të japë dorëheqjen. Por emigracioni i paligjshëm mbetet në plan të parë.
"Nuk jam racist, thjesht po vëzhgoj ndryshimin demografik", thotë Ritchie, 28 vjeç, duke i quajtur mbërritjet e paligjshme të emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar një "pushtim".
"Duam që vendi ynë të na kthehet", vazhdon i riu, i cili nuk dëshiron të japë mbiemrin e tij. Ai erdhi nga Bristoli me tre miq, të gjithë të veshur me bluza të zeza me flamurin britanik, dhe e konsideron Tommy Robinson-in "një hero".
Kush është Tomi Robinson?
Ky i fundit, 42 vjeç, emri i vërtetë i të cilit është Stephen Yaxley-Lennon, është themeluesi i ish-Lidhjes Angleze të Mbrojtjes, një grup i vogël nga lëvizja huligane. I njohur për qëndrimin e tij anti-imigracion dhe anti-islam, ai është dënuar disa herë, përfshirë për shkelje të rendit publik. Ai u burgos në vitin 2018 për shpërfillje të gjykatës dhe përsëri në vitin 2024 për përsëritje të fyerjeve ndaj emigrantëve.







