
Giorgia Meloni ka vendosur të nxjerrë në ankand disa nga dhuratat që ka marrë gjatë vizitave zyrtare jashtë vendit që kur mori detyrwn si kryeministre e Italisë.
Artikujt e ndarë për shitje janë objekte me vlerë më të madhe se 300 euro që, sipas ligjit italian, nuk mund të mbahen nga vetë politikanët dhe për këtë arsye do të shiten për publikun.
Siç raportohet nga mediat italiane , vlera totale e parashikuar e ankandit mund të arrijë deri në 800,000 euro.
Nuk ka një listë zyrtare të artikujve që do të shiten, por ka të ngjarë që shumë prej tyre të përkojnë me ato të zbuluara majin e kaluar nga Palazzo Chigi për deputetin Francesco Bonifazi, i cili kishte kërkuar informacion në një pyetje parlamentare. Të ardhurat mund të dhurohen për shoqata dhe organizata jofitimprurëse.
Lista prej afërsisht 270 dhuratash të marra nga kryeministri përfshin një larmi të gjerë objektesh: qilima të marrë në Libi dhe vende të tjera arabe, një vazo të çmuar në Vietnam, këpucë pitoni blu me taka të arta të punuara nga stilistja Norah Alhumaid në Arabinë Saudite, një statujë të Presidentit Argjentinas Javier Milei me sharrë elektrike, një bust argjendi të Gandhit dhe një statujë të artë të dhuruar nga Kryeministri Indian Narendra Modi, një shall dhuruar nga kryeministri Shqiptar Edi Rama, një set çaji prej porcelani të dhuruar nga Viktor Orbán dhe një tas qeramik të dhuruar nga Joe Biden.
Lista përfshin gjithashtu bizhuteri, një veshje tradicionale indoneziane, piktura, një vazo lulesh, një set kozmetike japoneze, kuti bizhuterish, rripa të çmuar dhe një iPad.
Ankandi do të zhvillohet midis janarit dhe qershorit 2026.Versus.al

