BOTA /

Merz kritikon ashpër SHBA-të për Iranin: Po poshtërohen! Kancelari gjerman vë në pikëpyetje strategjinë e Trump

Friedrich Merz ka sulmuar hapur strategjinë e Donald Trump ndaj Iranit, duke pretenduar se Teherani po e “poshtëron” SHBA-në, ndërsa konflikti po e rëndon ekonominë evropiane.

Shkruar nga Versus

Merz kritikon ashpër SHBA-të për Iranin: Po poshtërohen!

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka lëshuar kritika të forta ndaj Shteteve të Bashkuara lidhur me menaxhimin e konfliktit me Iranin, duke deklaruar se Uashingtoni po “poshtërohet” nga lidershipi iranian.

Sipas raportimeve të Bloomberg, Merz u shpreh në një ton të pazakontë se nuk sheh një strategji të qartë daljeje nga ana e amerikanëve, ndërsa theksoi se negociatorët iranianë po tregohen shumë të aftë në shmangien e negociatave reale.

“Një komb i tërë po poshtërohet nga udhëheqja iraniane, veçanërisht nga të ashtuquajturit Garda Revolucionare”, deklaroi ai gjatë një takimi me nxënës në Gjermaninë Perëndimore.

Deklaratat e kancelarit gjerman vijnë në një moment tensioni në rritje mes aleatëve perëndimorë dhe tregojnë, sipas analizave, një ftohje të marrëdhënieve mes Evropës dhe SHBA-ve. Disa liderë evropianë po rishikojnë qasjen ndaj presidentit amerikan Donald Trump, i cili është kritikuar për qëndrimet e tij ndaj NATO-s dhe për retorikën e ashpër në politikën ndërkombëtare.

Edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e njohur për raportet e afërta me Trump, ka përjetuar një krisje në marrëdhënie me të, ndërsa kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka mbajtur një qëndrim të vazhdueshëm kritik, duke refuzuar madje përdorimin e bazave ushtarake për operacionet që lidhen me Iranin.

Nga ana tjetër, përpjekjet për negociata mes SHBA-ve dhe Iranit kanë hasur vështirësi. Një raund i dytë bisedimesh nuk u realizua gjatë fundjavës, ndërsa Trump anuloi një vizitë të planifikuar të të dërguarve të tij në Pakistan, duke deklaruar se Irani “ofroi shumë, por jo mjaftueshëm”. Ndërkohë, diplomacia iraniane ka vijuar përpjekjet përmes ndërmjetësve.

Merz theksoi gjithashtu se Gjermania dhe liderët evropianë nuk ishin informuar paraprakisht për nisjen e sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt, duke shtuar se ai i ka shprehur skepticizmin e tij drejtpërdrejt Trump-it në disa biseda.

Ai paralajmëroi se konflikti po ndikon tashmë drejtpërdrejt në ekonominë gjermane, sidomos përmes rritjes së çmimeve të energjisë, dhe bëri thirrje për një përfundim sa më të shpejtë të luftës.

“Ky konflikt ka ndikim të drejtpërdrejtë në performancën tonë ekonomike dhe duhet të marrë fund sa më shpejt”, u shpreh Merz, duke shtuar se aktualisht nuk sheh një zgjidhje të afërt, pasi Irani po rezulton më i fortë nga sa pritej dhe SHBA-të nuk kanë një strategji bindëse negociuese.Përshtati Versus.al

Poll