Në një aktivitet të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë në prag të përgatitjeve për Kampionatin Botëror të Futbollit 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ish-presidenti Donald Trump bëri një deklaratë të pazakontë lidhur me një mysafir të mundshëm: Vladimir Putinin.
Gjatë prononcimit për mediat, Trump tha se kishte marrë së fundmi një fotografi nga dikush që “dëshiron shumë të jetë pjesë e Kupës së Botës”.
Më pas, ai nxori nga sirtari një foto të tij dhe presidentit rus Vladimir Putin, duke shtuar:
“Ai mund të vijë, varësisht nga ajo që ndodh. Mund të mos ndodhë… Do të ndodhin shumë gjëra gjatë dy javëve të ardhshme.”
Trump e përshkroi imazhin si “një fotografi të bukur” dhe shtoi se Putin ka qenë “shumë respektues ndaj meje dhe vendit tonë, por jo aq respektues ndaj të tjerëve”.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me sulmet ajrore ruse që dyshohet se kanë goditur një fabrikë amerikane në Ukrainë, Trump u shpreh:
“Nuk jam i lumtur për këtë. Nuk jam i kënaqur me asgjë që ka të bëjë me atë luftë.”
Ai la të nënkuptohet se mund të ketë zhvillime të rëndësishme së shpejti, duke përfunduar:
“Mendoj se gjatë dy javëve të ardhshme do të zbulojmë në ç’drejtim do të shkojë puna, dhe më mirë të jem shumë i lumtur.”







