
Në kulmin e konfliktit që përfshin Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe Iranin, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka shkarkuar shefin e Shtabit të Ushtrisë Tokësore amerikane, një vendim që ka shkaktuar reagime dhe tallje nga Teherani.
Në rrjetet sociale, zyrtarë iranianë kanë reaguar me sarkazëm, duke shkruar: “Ndryshimi i regjimit u realizua me sukses”, duke ironizuar situatën në ushtrinë amerikane dhe vendimet e administratës së Donald Trump.
Sipas raportimeve, Pete Hegseth ka shkarkuar nga detyra shefin e ushtrisë, gjeneralin Randy George, ndërsa edhe disa gjeneralë të tjerë kanë pësuar të njëjtin fat. Sipas medias amerikane CBS News, më shumë se një duzinë zyrtarësh të lartë ushtarakë janë larguar nga detyra.
The regime change happened successfully.
— Iran Embassy SA (@IraninSA) April 3, 2026
MAGA???? pic.twitter.com/R75aFdmSTN
Irani tallet me SHBA-në
Regjimi iranian e ka shfrytëzuar situatën për të tallur administratën amerikane. Ambasada e Iranit në Afrikën e Jugut publikoi në rrjetin social X një foto të komandës së ushtrisë amerikane, ku disa gjeneralë ishin të shënuar me kryq, duke shoqëruar postimin me mesazhin ironik: “Ndryshimi i regjimit ndodhi me sukses.”
Postimi mori miliona shikime dhe dhjetëra mijëra pëlqime brenda një kohe të shkurtër.
Edhe më herët, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Ghalibaf, kishte ironizuar presidentin amerikan. Që nga fillimi i sulmeve izraelito-amerikane, ai ka ndryshuar stilin e komunikimit, duke postuar në anglisht dhe duke imituar stilin e komunikimit të Donald Trump në rrjetet sociale.
A po përgatitet një pushtim tokësor?
Disa analistë në televizionet amerikane dyshojnë se gjenerali Randy George është shkarkuar, sepse kundërshtonte një pushtim të mundshëm tokësor amerikan në Iran. Largimi i tij përkon me dërgimin e mijëra trupave elitare amerikane në rajon.
Ndërkohë, komanda e ushtrisë amerikane i është besuar gjeneralit Christopher LaNeve, në një moment shumë të tensionuar për situatën në Lindjen e Mesme, ku frika për një përshkallëzim të madh ushtarak mbetet e lartë. /VERSUS

