
Po shtohen gjithnjë e më shumë provat për përpjekjet e kryeministrit Viktor Orban për t’u orientuar drejt lindjes dhe për të lidhur Hungarinë ekonomikisht dhe politikisht me Rusinë, gjë që kundërshtarët po e përdorin kundër tij para zgjedhjeve.
Qeveria hungareze ka nënshkruar një marrëveshje me Rusinë për zgjerimin e lidhjeve ekonomike, tregtare, energjetike dhe kulturore mes dy vendeve, shkruan Politico.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto dhe ministri rus i Shëndetësisë, Mikhail Murashko nënshkruan një plan me 12 pika, i cili përcakton fushat e bashkëpunimit pas një takimi në Moskë në muajin dhjetor.
Dokumenti, i cili nuk ishte bërë publik më parë, zbulon se deri në çfarë mase dy qeveritë synojnë të harmonizohen në fusha si karburanti bërthamor, arsimi dhe sporti.
Në takimin e mbajtur më 9 dhjetor 2025 në Moskë, palët diskutuan çështje aktuale të bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik, si dhe bashkëpunimin në sektorë si energjia, industria, shëndetësia, bujqësia, ndërtimtaria dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.
Gjithashtu, u theksua rëndësia e zhvillimit të marrëdhënieve afatgjata dhe reciprokisht të dobishme mes dy vendeve. Ndër pikat e dakorduara është edhe përpjekja për të përmbysur trendin negativ në tregtinë dypalëshe, e cila ka rënë si pasojë e sanksioneve të Bashkimi Evropian ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.
Marrëveshja gjithashtu hap mundësinë për kompanitë ruse që të nisin projekte të reja në fushën e energjisë elektrike dhe hidrogjenit në Hungari, si dhe për bashkëpunim më të ngushtë në naftë, gaz dhe karburant bërthamor.
Budapesti ka pranuar të shqyrtojë forcimin e mësimit të gjuhës ruse përmes importimit të mësuesve nga Rusia, si dhe të përmirësojë njohjen reciproke të kualifikimeve dhe të hapë programe shkëmbimi për studentët pasuniversitarë. Versus.al

