BOTA /

Nis numërimi i votave në Kosovë, Vetëvendosja kryeson në rezultatet e para

Shkruar nga Versus

Nis numërimi i votave në Kosovë, Vetëvendosja kryeson

Procesi i numërimit të votave ka nisur në Kosovë pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 7 qershor.

Rezultatet e para tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, mban vendin e parë me 34.18% të votave të numëruara deri tani.

Sipas të dhënave paraprake nga 72 kutitë e para të votimit, Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 19.95%, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 14.76%. Ndërkohë, Lista Serbe ka siguruar 9.83% të votave të numëruara.

Megjithatë, exit poll-et e publikuara nga disa media në Kosovë e nxjerrin Vetëvendosjen fituese me rreth 42% të votave, një rezultat më i ulët krahasuar me mbi 51% që kjo forcë politike kishte arritur në zgjedhjet e mëparshme.

Në këto zgjedhje kishin të drejtë vote rreth 2 milionë qytetarë. Procesi zgjedhor u organizua pas dështimit të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit dhe, sipas raportimeve paraprake, u zhvillua në mënyrë të qetë, pa incidente që të cenonin mbarëvajtjen e votimit.

Numërimi i votave vijon dhe rezultatet përfundimtare pritet të japin një panoramë më të qartë të përbërjes së re parlamentare në Kosovë./Versus.al

 

Poll