BOTA /

Një kthesë e papritur në rastin e Maduros: Hidhet poshtë akuza se ai është kreu i kartelit të drogës!

Maduro u kap nga forcat amerikane së bashku me gruan e tij të shtunën në një operacion të urdhëruar nga Presidenti Donald Trump.

Shkruar nga Versus
Një kthesë e papritur në rastin e Maduros: Hidhet poshtë
Maduro rruges per ne Gjykate

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka hedhur poshtë një akuzë kyçe dhe kontraverse që administrata Trump e ka përdorur kundër Presidentit Venezuelan Nicolás Maduro për vite me radhë - akuzën se ai është udhëheqësi i kartelit të drogës të njohur si Cartel de los Soles.

Kjo akuzë ishte baza e padisë së vitit 2020 dhe shërbeu si justifikim për përcaktimin e këtij grupi si organizatë terroriste, së pari nga Departamenti i Thesarit në vitin 2025 dhe më pas nga Departamenti i Shtetit nën udhëheqjen e Marco Rubio, raportoi New York Times.

Megjithatë, ekspertët latino-amerikanë kanë paralajmëruar prej kohësh se "Cartel de los Soles" nuk është një organizatë e vërtetë, por një term i përdorur në gjuhën e folur nga mediat venezueliane në vitet 1990 për të përshkruar zyrtarët e korruptuar që fitojnë para nga tregtia e drogës.

Departamenti i Drejtësisë duket se e ka pranuar këtë fakt, duke publikuar një aktakuzë të ndryshuar të shtunën pas kapjes së Maduros që korrigjon në heshtje akuzat e mëparshme.

Edhe pse prokurorët ende e akuzojnë Maduron për pjesëmarrje në një komplot trafiku droge, ata kanë hequr dorë nga pretendimi se "Cartel de los Soles" është një grup formal dhe hierarkik.

Aktakuza e rishikuar tani e përshkruan atë si një sistem ''mbrojtjeje/patronazhi”dhe një "kulturë korrupsioni" të nxitur nga paratë e drogës.

Ndryshimi është më i dukshëm në shifra: ndërsa aktakuza e vjetër iu referua "Cartel de los Soles" deri në 32 herë, duke e përshkruar Maduron si udhëheqësin e saj, aktakuza e re e përmend atë vetëm dy herë.

Versioni i ri thotë se Maduro, ashtu si paraardhësi i tij Hugo Chávez, mori pjesë në mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e atij sistemi të korruptuar.

“Fitimet nga trafikimi i drogës dhe mbrojtja e partnerëve të trafikimit të drogës shkojnë te zyrtarët e korruptuar civilë, ushtarakë dhe të inteligjencës të rangjeve të ulëta dhe të mesme, të cilët veprojnë në një sistem patronazhi të menaxhuar nga ata në krye - të quajtur “Cartel de los Soles”, që është një referencë për simbolet e diellit të bashkangjitura në uniformat e zyrtarëve të lartë ushtarakë venezuelianë”, shpjegon aktakuza e re.

Poll