Qeveria federale e SHBA-së ka miratuar rregulla më të ashpra për aftësitë gjuhësore të shoferëve të kamionëve komercialë, duke kërkuar që ata të jenë në gjendje të flasin dhe lexojnë anglisht në mënyrë të mjaftueshme. Urdhri i ri, i firmosur nga Presidenti Donald Trump, përmbys një politikë më të butë të vitit 2016 të administratës Obama, që u kishte lejuar shoferëve me aftësi të kufizuara në gjuhë të vazhdonin punën.
Sipas rregullave të reja, shoferët duhet të kalojnë testime në gjuhën angleze për të provuar se janë në gjendje të kuptojnë sinjalistikën rrugore, të komunikojnë me policinë dhe autoritetet e kontrollit të ngarkesave, si dhe të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm.
Vendimi ka shkaktuar ndasi në sektorin e transportit, i cili tashmë përballet me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore dhe rritje të automatizimit. Disa transportues të pavarur e konsiderojnë masën si “logjike dhe të nevojshme”, ndërsa të tjerë paralajmërojnë se ajo mund të përkeqësojë krizën e punësimit në këtë industri.
Ministri i Transportit, Sean Duffy, e ka quajtur masën një “rikthim në standardet bazë të sigurisë”, ndërsa Aleanca për Sigurinë e Automjeteve Tregtare, një agjenci që më parë kishte mbështetur heqjen e kërkesës për anglishten, tani është e detyruar të zbatojë urdhrin presidencial. /Versus.al







