Një operacion i koordinuar mes autoriteteve greke dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar (NCA) ka çuar në kapjen e një sasie prej 271 kilogramësh kokainë në Portin e Selanikut. Vlera e lëndës narkotike në treg vlerësohet mbi 5.5 milionë euro.
Ngarkesa kishte origjinë nga Amerika Latine dhe ishte dërguar përmes një kontejneri me destinacion final zonën e Aspropyrgos, në Greqi. Pas marrjes së informacioneve nga NCA, autoritetet greke nisën një hetim të thelluar, të udhëhequr nga Drejtoria për Luftën kundër Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me njësi të tjera të policisë dhe doganave.
Më 6 gusht 2025, kontejneri u identifikua dhe u vu nën mbikëqyrje, në kuadër të një operacioni të njohur si “dorëzim i kontrolluar” – një taktikë që lejon ndjekjen e ngarkesës deri në vendmbërritje për të goditur të gjithë rrjetin kriminal. Ngarkesa u ndoq deri në Aspropyrgos, ku u ndërhy dhe u arrestuan tre persona, të dyshuar si anëtarë të një organizate kriminale të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Hetimet vijojnë për të zbuluar lidhjet e tjera të mundshme të këtij rrjeti me grupe të organizuara brenda dhe jashtë vendit. /Versus.al







