
Para pallatit presidencial në kryeqytetin e Polonisë Varshavë, të shtunën (21.02.2026) u dëgjuan tone dramatike për ndihmë. "Shpëtoje Poloninë, shpëtoje Poloninë", thërriste Adam Borowski, një ish-sindikalist antikomunist dhe mbështetës i opozitës konservatore të djathtë në vendin anëtar të BE. "Ju përgjërohemi, vini veton kundër SAFE", i bëri thirrje ai Presidentit të Polonisë, Karol Nawrocki.
Me thirrjen e tij për protestë u bashkuan disa qindra vetë. Pjesëmarrësit mbanin flamuj polakë dhe amerikanë si dhe pankarta kryesisht me parrulla antigjermane. "SAFE do të thotë skllavërim nga Gjermania" dhe "SAFE-Jo, Reparacione (të luftës)- Po" shkruaj në banderola.
Programi i BE i vendosur verën e kaluar "Security Action for Europe" (SAFE) synon që të forcojë potencialin ushtarak përballë kërcënimit nga Rusia. Për shtetet e interesuara janë gjithsej 150 miliardë euro kredi me kushte të favorshme në dispozicion.
Polonia është përfituesja më e madhe: shteti në vijën e frontit në krahun lindor të NATO-s është parashikuar të marrë 43,7 miliardë euro kredi me kushte të favorshme për modernizimin e forcave të tij të armatosura. Në 26 janar, Komisioni Evropian miratoi mjetet për 139 projekte polake. Fondet mund të lëvrohen që në janar. Por megjithatë është e diskutueshme, nëse programi do të zbatohet fare.
"Bashkim i Evropës nën udhëheqje gjermane"?
Qeveria proevropiane e qendrës së majtë e kryeministrit Donald Tusk e konsideron projektin sukses të madh.
Ishte Polonia ajo që, gjatë Presidencës së saj të BE dy vjet më parë, e nisi projektin dhe e zbatoi atë pavarësisht kundërshtimit nga disa kryeqytete të Evropës Perëndimore. Deri së fundmi, qeveria dhe opozita ishin dakord se SAFE ishte një mundësi për Poloninë. Polonia po riarmatohet në mënyrë masive nga frika e politikës agresive të Rusisë. Megjithatë, pak para arritjes së qëllimit, opozita konservatore dhe e ekstremit të djathtë e ndryshoi rrënjësisht mendimin e saj.
Ndryshimi u njoftua një javë më parë nga lideri i partisë konservatore Ligji dhe Drejtësia (PiS), Jaroslaw Kaczynski: qëllimi i SAFE është "bashkimi i Evropës nën udhëheqjen gjermane " dhe "përzënia e Shteteve të Bashkuara nga Evropa," sipas politikanit nacional-konservator.
Propozimi të çon në fund në një "Poloni nën çizmen gjermane". "Ne e refuzojmë këtë çizme," vazhdoi kreu i PiS-it, duke e cilësuar Gjermaninë një "shtet postnazist". Sipas Kaczynski-t, Presidenti Nawrocki duhet të vendosë veto ndaj SAFE-it.
E djathta polake e zemëruar
Që atëherë, fushata propagandistike kundër SAFE-it ka qenë në kulm. Në konferencën e partisë PiS të mbajtur në Stalowa Wola të shtunën e kaluar (21 shkurt 2026), kreu i grupit parlamentar të PiS, Mariusz Blaszczak, pretendoi se SAFE është një "sistem krediti që i lidh së bashku shtetet e pavarura".
Partia libertariane e djathtë Konfederata e Lirisë dhe Pavarësisë gjithashtu e kritikoi SAFE. "Vetëm një idiot ose një tradhtar mund të mbështesë këtë program," shkroi eurodeputetja Ewa Zajaczkowska-Hernik në platformën X.
Megjithatë, qeveria aktuale polake kishte negociuar kushte të mira me Brukselin: norma e interesit është rreth 3%, shumë më pak se sa do të duhej të paguante Polonia në tregun financiar. Shlyerja do të zgjasë 45 vjet dhe nuk do të fillojë derisa të kenë kaluar dhjetë vjet. Deri në 80% të fondeve do të shkojnë për kompanitë polake.
A mund t'i ndalojë Brukseli paratë?
Por e gjithë kjo nuk e bind opozitën polake. Partitë e djathta frikësohen mbi të gjitha nga mekanizmi i kushtëzimit të BE dhe u referohen përvojave të kaluara. Në vitin 2021, Komisioni Evropian pezulloi pagesat e planit të rimëkëmbjes nga koronavirusi për qeverinë e PiS për shkelje të sundimit të ligjit. "Kushtëzimi do të thotë, de facto, shantazh politik, i cili i jep BE-së të drejtën të pezullojë transferimet në çdo kohë," tha Kaczynski në platformën X.
Politikanët e PiS pretendojnë se nëse partia e tyre kthehet në pushtet në vitin 2027, Brukseli do t'i ndalojë fondet. Për më tepër, SAFE do të kufizojë opsionet e blerjes së armëve vetëm te kompanitë evropiane. Deri tani, Polonia ka blerë avionë luftarakë dhe tanke nga Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut. Nga këndvështrimi i së djathtës polake, është e papranueshme që edhe kompanitë gjermane të përfitojnë këtë herë.
"Fjala SAFE do të thotë të sigurt. Nuk është thjesht një lojë fjalësh. Të mos mendojë askush të bllokojë programin," paralajmëroi Kryeministri Tusk të enjten e kaluar (19 shkurt 2026) në një poligon ushtarak afër Varshavës. Një veto do të ishte një "goditje në zemër të projekteve të armatimit," sipas Tusk-ut. Zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Cezary Tomczyk, madje flet për "tradhti të lartë".
Presidenti Nawrocki në dilemë
Pas miratimit përfundimtar të ligjit SAFE nga Parlamenti këtë javë, ai tani i shkon në tryezë presidentit. "Ende nuk është marrë asnjë vendim," tha këshilltari i Presidentit Nawrocki, Blazej Pobozy, të dielën në mbrëmje.
Që nga marrja e detyrës në gusht 2025, Nawrocki ka bllokuar një rekord prej 27 ligjesh. Por këtë herë ai ndodhet në një dilemë: ai u emërua nga PiS dhe fitoi kryesisht falë mbështetjes financiare dhe logjistike të partisë së Kaczynski-t, gjë që e detyron të jetë besnik.
Megjithatë, njëkohësisht, Nawrocki, si president, është komandanti suprem i Forcave të Armatosura Polake. Shumica e ushtrisë mbështet programin SAFE, sepse e konsideron atë një burim të rëndësishëm për modernizimin e ushtrisë polake. Një veto do të pranohej keq nga trupat.
Ndërkohë, Tusk-u po përgatitet për skenarin më të keq: burime në qeverinë e tij, të cituara nga televizioni TVN, besojnë se është e mundur të përdoren fondet e BE nga programi SAFE edhe pa ligj. "Për qeverinë, është një situatë ku të gjithë fitojnë: Nawrocki do të jetë humbësi, nëse refuzon të nënshkruajë dhe programi zbatohet gjithsesi," komentoi të dielën gazeta e përditshme Rzeczpospolita. DW

