
Një ish-emigrant pa dokumente është emëruar ipeshkëv në Shtetet e Bashkuara, në një lëvizje që shihet si një mesazh i qartë nga Papa Leone XIV në raport me politikat aktuale amerikane.
Për dioqezën e West Virginia, Papa ka zgjedhur Evelio Menjivar-Ayala, 55 vjeç, i cili emigroi në SHBA në vitin 1990. Në vitin 2023, ai u bë ipeshkëvi i parë me origjinë salvadoriane në SHBA, duke shërbyer si ndihmës në Arqidioqezën e Washingtonit.
Menjivar-Ayala kishte hyrë në SHBA pa dokumente, i fshehur në bagazhin e një makine. Në muajt e fundit, ai ka bërë thirrje publike që katolikët të mbajnë qëndrim ndaj trajtimit të emigrantëve, duke kritikuar politikat e administratës së Donald Trump.
"As most immigrants do, I did janitorial work, I did construction... you name it! So that helped me understand labor, hard labor, to learn to work hard." - Bishop Evelio Menjivar-Ayala, Salvadoran-born auxiliary bishop for the Archdiocese of Washington. He is the first Central… pic.twitter.com/wCASskG68A
— EWTN News In Depth (@EWTNNewsInDepth) March 18, 2025
Kur u emërua ipeshkëv ndihmës nga Papa Francesco, ai rrëfeu për tre përpjekjet e dështuara si adoleshent për t’i shpëtuar dhunës dhe luftës civile në vendin e tij. Më në fund arriti në Los Angeles për t’u ribashkuar me motrën. Fillimisht punoi si pastrues, në ndërtim dhe në punë të tjera, përpara se të transferohej në Maryland dhe të zbulonte thirrjen e tij për priftëri.
Emërimi i Boxie III
Ndërkohë, Papa ka ngritur në detyrën e ipeshkëvit ndihmës në Washington, në vend të Menjivar-Ayala, edhe Robert Boxie III, 46 vjeç, ish-kapelanin e Howard University.
Boxie ka dënuar sulmet ndaj diversitetit si “antiamerikane” dhe “antikristiane”. Ai ka folur për progresin racor dhe për ligjin e të drejtave të votës, duke shprehur shqetësim për dobësimin e tij nga Gjykata e Lartë dhe për qëndrimet e administratës Trump ndaj politikave të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes.
Sipas raportimeve të The Washington Post, këto emërime tregojnë vazhdimësinë e përpjekjeve të Papa Leone XIV për të promovuar figura të klerit amerikan që shprehen hapur mbi çështje ku Kisha përplaset me politikat e administratës amerikane.

