
Qeveria e Malit të Zi e ka miratuar të hënën vendimin për pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza për shtetasit e Turqisë.
Qeveria tha se e mori këtë masë të përkohshme për t’i rishikuar dhe përmirësuar mekanizmat e kontrollit të lëvizjes dhe qëndrimit të shtetasve turq në vend.
Vendimi do të hyjë në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare.
“Shtetasve turq që kanë planifikuar të vijnë, të qëndrojnë ose të kalojnë transit nëpër Mal të Zi, do t’u mundësohet një procedurë e përshpejtuar për marrjen e vizave, në mënyrë që efektet negative të periudhës kalimtare të minimizohen”, thuhet në njoftim.
Heqjen e regjimit pa viza e kishte paralajmëruar të dielën në mbrëmje kryeministri Spajiq, pasi në Podgoricë ishin ndaluar rreth 50 shtetas turq dhe azerbajxhanas në lidhje me ligjshmërinë e qëndrimit të tyre.
Në të njëjtën aksion u arrestuan një shtetas turk dhe një azerbajxhanas, të cilët dyshohen se gjatë natës mes së shtunës dhe së dielës kishin plagosur me thikë një 25-vjeçar nga Podgorica.
Qeveria malazeze theksoi të hënën se po kujdeset për interesat e rreth 14.000 shtetasve turq që ndodhen aktualisht në Mal të Zi dhe se do të ndërmarrë hapa për të siguruar qëndrimin e tyre të ligjshëm dhe të qetë.
Ajo nguli këmbë se ky vendim nuk do të ketë ndikim në marrëdhëniet dypalëshe me Turqinë.
“Qëllimi është që sfidat ekzistuese të kapërcehen në mënyrë të përbashkët dhe të sigurohet një kuadër bashkëpunimi afatgjatë dhe i qëndrueshëm në fushën e lëvizjes së lirë të njerëzve", tha ajo.
Operacion policor dhe thirrje antiturke
Njoftimi i Spajiqit erdhi pasi policia gjatë një aksioni në lagjen Zabello të Podgoricës arrestoi rreth 50 shtetas të Turqisë, përfshirë dy persona për të cilët dyshohet se morën pjesë në një përleshje ku një banor i Podgoricës, M.J., u plagos me thikë, njoftoi Policia malazeze pas orës 22:00 të dielën.
Përleshja ndodhi natën mes së shtunës dhe së dielës në një kafene në Zabello.
Gjatë arrestimeve, u mblodh një grup i madh qytetarësh që brohoritnin mesazhe me gjuhë të urrejtjes, përkatësisht duke nxitur dhunë ndaj turqve. Policia ndaloi disa nga të pranishmit që të afroheshin pranë objekteve ku ndodheshin shtetasit turq.
Qytetarëve iu drejtua edhe ministri i Punëve të Brendshme, Danilo Sharanoviq, i cili tha se është manipulim të thuhet se në Mal të Zi qëndrojnë 100.000 shtetas turq dhe shpjegoi se numri i tyre është 13.000, prej të cilëve 80 kanë qëndrim të përhershëm.
Mbrëmjen e së dielës, një numër i madh i automjeteve policore u vendosën para ndërtesës së Ambasadës turke në Podgoricë.
Deputeti Boris Bogdanoviq nga Partia Demokratike në pushtet, subjekti i ministrit Sharanoviq, publikoi një fotografi të arrestimeve me mbishkrimin: “Mbrojmë vendin tonë. Mbrojmë çdo shtëpi”.
Policia lidhi arrestimet me, siç tha, incidente me elemente dhune gjatë 24 orëve të fundit, në të cilat morën pjesë shtetas turq që qëndrojnë përkohësisht në Podgoricë.
Nga policia thanë se do të verifikojnë ligjshmërinë e qëndrimit të tyre dhe nëse gjatë qëndrimit ka pasur dhunë, mund të ketë veprime për anulimin e qëndrimit ose dëbim nga vendi.
Nga rreth 100.000 të huaj në Mal të Zi, 13.400 janë shtetas turq, sipas të dhënave zyrtare të policisë. Më shumë janë shtetas serbë dhe rusë, gjithsej rreth 50.000.
Ndryshe, Turqia është një ndër vendet për të cilat Mali i Zi ka hequr vizat, gjë për të cilën Komisioni Evropian ka kërkuar nga Podgorica që të harmonizojë politikën e vizave me Bashkimin Evropian. Shtetasve turq u kërkohet vizë për të hyrë në vendet e BE-së.
Reagime: Dënohet sulmi dhe thirrje për paqe
“Dënoj ashpër sulmin”, shkroi në rrjetin X presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, duke u bërë thirrje autoriteteve të zgjidhin rastin në mënyrë efikase.
“Njëkohësisht, bëj thirrje për qetësi dhe përmbajtje për të gjithë qytetarët. Nuk duhet të ketë vend për faj kolektiv apo stigmatizim të një populli të tërë”.
Ai shtoi se të gjithë duhet të kenë kujdes që mesazhet e tyre të mos rrisin tensionet.
“Policia dhe prokuroria janë të detyruara të luftojnë gjuhën e urrejtjes dhe çdo formë kërcënimi. Malit të Zi i nevojitet një politikë imigracioni më e përgjegjshme: e fortë ndaj abuzimeve dhe krimit, dhe e drejtë ndaj të gjithë atyre që respektojnë ligjet tona”, theksoi Millatoviq.
Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, dënoi ashpër sulmin. Ai bëri thirrje “të gjithë në Mal të Zi për përmbajtje”, duke theksuar se përgjegjësia është individuale.
Sipas tij, në një Mal të Zi evropian nuk ka vend për dhunë, për veprime arbitrare dhe thirrje si “Vrite turkun” – thirrje që u dëgjuan në Podgoricë, duke kërkuar një reagim të menjëhershëm nga autoritetet.
Edhe Partia e Boshnjakëve, në pushtet, kërkoi zbardhjen e rastit dhe ndëshkimin e autorëve “pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare”.
“Së bashku, me shqetësim të madh dënojmë gjuhës së urrejtjes dhe brohoritjet si ‘Vrite Turkun’… Mali i Zi duhet të mbetet një vend ku ndaj dhunës nuk përgjigjemi me urrejtje, por me drejtësi, dhe ku institucionet, jo rrugët, vendosin për fajësinë”.
Kryetari i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejziq, komentoi ngjarjen në kontekstin e ftohjes së marrëdhënieve midis Beogradit dhe Ankarasë, pas faktit që në fillim të tetorit Turqia dërgoi armë në Kosovë, gjë që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e quajti “tronditëse” dhe vlerësoi se Ankaraja, që është anëtare e NATO-s, nuk dëshiron stabilitet në Ballkan. REL
