
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka deklaruar se do të takohet me Donald Trump në Uashington të hënën, 18 gusht.
'Bisedë e gjatë dhe me përmbajtje me Presidentin Trump, fillimisht kokë më kokë, e më pas edhe me pjesëmarrjen e liderëve evropianë. Në total, biseduam për më shumë se një orë e gjysmë, rreth një orë vetëm me Presidentin Trump.
Ukraina edhe një herë konfirmon gatishmërinë për të punuar sa më produktivisht për hir të paqes. Presidenti Trump më informoi për takimin e tij me udhëheqësin rus dhe për pikat kryesore të bisedës. Është e rëndësishme që fuqia e Amerikës të ndikojë në zhvillimin e situatës.
Ne mbështesim propozimin e Presidentit Trump për një takim trepalësh Ukrainë – Amerikë – Rusi. Ukraina thekson se çështjet kyçe mund të diskutohen në nivel liderësh, dhe formati trepalësh është i përshtatshëm për këtë.
Të gjitha detajet për përfundimin e vrasjeve dhe të luftës planifikoj t’i diskutoj me Presidentin Trump në Uashington të hënën. Jam mirënjohës për ftesën.
Është e rëndësishme që evropianët të jenë të përfshirë në të gjitha fazat për të garantuar në mënyrë të besueshme sigurinë së bashku me Amerikën. Ne diskutuam gjithashtu sinjalet pozitive nga pala amerikane për pjesëmarrjen në garantimin e sigurisë së Ukrainës. Vazhdojmë të koordinojmë pozicionet tona me të gjithë partnerët. Falënderoj të gjithë ata që ndihmojnë!' shkruan Zelensky në rrjete sociale.
Ky njoftim i presidentit ukrainas vjen menjëherë pasi Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan kishte folur me Zelenskyy në një telefonatë të gjatë pasi ai u takua me presidentin rus Putin në Alaska mbrëmë./Versus.al







