Një episod i ri i është shtuar këtë të premten pasdite përballjes shpërthyese dhe publike midis Donald Trump dhe Elon Musk, me presidentin amerikan që akuzoi miliarderin se "ka humbur mendjen".
Edhe pse të dyja palët dukeshin se po bënin thirrje për qetësim të situatës, Donald Trump, në një intervistë telefonike me ABC Neës, deklaroi se nuk ishte i interesuar të fliste me Elon Musk.
"E keni fjalën për djalin që është çmendur?" ishte komenti i Donald Trump kur u pyet për thashethemet se kishte planifikuar një bisedë telefonike me Elon Musk dhe shtoi se "nuk ishte veçanërisht i interesuar" të fliste me të për momentin.
Megjithatë, thuhet se presidenti amerikan dëshiron ta minimizojë çështjen, pasi sipas gazetarit Jonathan Karl, ai deklaroi se nuk është "i zemëruar ose i shqetësuar për polemikat".
Aksionet e Teslës bien më tej
Polemika ka pasur një ndikim të fortë në aksionet e Teslës, të cilat ranë ndjeshëm, duke shënuar një rënie prej 14% të premten në mëngjes.
Pasuria neto e Elon Musk ra me 27 miliardë dollarë dje. Gjithësesi ai mbetet personi më i pasur në botë, me një pasuri neto prej 388 miliardë dollarësh.
Aksionet e kompanisë së presidentit amerikan, e cila mbështet platformën Truth Social, ranë gjithashtu me 8%, ndërsa kriptomonedha Trump Coin u dobësua.
Kronologjia e konfliktit
Përshkallëzimi u shkaktua nga qëndrimi i Elon Musk ndaj projektligjit të ri të administratës Trump, i cili aktualisht është duke u diskutuar në Senat dhe përfshin elementë qendrorë të programit presidencial, siç janë ulja e taksave dhe forcimi i zbatimit të ligjit për imigracionin.
Musk ka qenë kritik i ashpër, duke përmendur vlerësime se miratimi i projektligjit do të rrisë deficitin buxhetor me 2.4 trilionë dollarë.
Trump fillimisht reagoi ashpër përmes Truth Social, por të enjten u shfaq më i përmbajtur.
"Nuk më shqetëson që Eloni u kthye kundër meje, por duhet ta kishte bërë këtë muaj më parë", shkroi ai, duke shtuar se projektligji është "një nga më të mirët e paraqitur ndonjëherë në Kongres" dhe duke përfunduar me sloganin e tij: "BËJENI AMERIKËN TË MADHE PËRSËRI!"
Disa orë më vonë, Musk publikoi një video që tregonte Donald Trump duke festuar me Jeffrey Epstein.
“Koha për të hedhur bombën e madhe: Donald Trump është në dosjet e Epstein . Kjo është arsyeja e vërtetë pse ato nuk janë bërë publike. Kalofsh një ditë të mbarë, DJT!” shkroi Musk, pak pasi presidenti amerikan kërcënoi të shkurtonte subvencionet për kompanitë e tij, duke vënë në dukje se një veprim i tillë do t’i “kursente miliarda” qeverisë amerikane.
Deklaratat e dy “ish-miqve” duket se zbulojnë natyrën “instrumentale” të marrëdhënies së tyre, pavarësisht pretendimeve të Shtëpisë së Bardhë për identifikim ideologjik, shkruam media britanike TheGuardian mbi zhvillimet e fundit./Versus.al







