BOTA /

"Përvëlohet" Evropa, OBSH: Vala e të nxehtit është emergjencë shëndetësore

OBSH thotë se tanimë i nxehti ekstrem nuk është fenomen i motit, por emergjencë shëndetësore.

Shkruar nga Versus

"Përvëlohet" Evropa, OBSH: Vala e të nxehtit

Temperaturat ekstreme që kanë përfshirë Evropën po kthehen në një kërcënim serioz për shëndetin publik.

Teksa vala e të nxehtit po shkakton viktima në disa vende të kontinentit, Organizata Botërore e Shëndetësisë po bën thirrje për veprim të menjëhershëm ndaj krizës klimatike.  Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, u shpreh se “vala e të nxehtit në Evropë po mbyll shkollat dhe po vë në rrezik shëndetin e njerëzve”.

“Të dhënat janë të qarta, temperaturat në Evropë po rriten me rreth dy herë më shpejt se mesatarja globale, duke rritur gjasat dhe ashpërsinë e valëve ekstreme të të nxehtit në të ardhmen”, shtoi ai.

Në këto kushte kreu i Shëndetësisë globale apelon që krerët e shteteve evropiane duhet të prioritizojnë investimet në sisteme shëndetësore të përshtatura ndaj klimës, ndërsa njëkohësisht të përshpejtojnë veprimin për klimën dhe të zbusin faktorët që nxisin krizën klimatike.

Të dhënat tregojnë se Evropa është rajoni që po ngrohet më shpejt në botë dhe vetëm në katër vitet e fundit temperaturat e larta kanë shkaktuar mbi 200 mijë vdekje.

Ndërkohë, vdekshmëria e lidhur me të nxehtin është rritur me 30% gjatë 20 viteve të fundit.

Për të mbrojtur popullatën, OBSH rekomandon që qytetet të krijojnë më shumë hapësira të freskëta, të sigurojnë akses në ujë dhe hije, si dhe të monitorojnë nga afër të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.

Sipas organizatës, i nxehti ekstrem nuk është më thjesht një fenomen i motit, por një emergjencë shëndetësore që kërkon reagim të menjëhershëm.

Poll