BOTA /

Lista e zezë e SHBA, kiush është në sanksione në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor?

Shkruar nga Versus

Lista e zezë e SHBA, kiush është në sanksione në 6

Deri në fillim të qershorit 2026, në listën e zezë amerikane ishin vendosur 131 individë dhe subjekte nga gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor.

Numri më i madh i sanksioneve lidhet me Serbinë (49), pasuar nga Kosova (29), Bosnje e Hercegovina (26), Maqedonia e Veriut (12), Shqipëria (8) dhe Mali i Zi (7).

Vendimet për sanksione i merr Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja, shkurt OFAC, e cila vepron në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit.

Bëhet fjalë për një listë individësh dhe biznesesh që SHBA-ja i sanksionon - në rastin e Ballkanit Perëndimor, kryesisht për shkak të dyshimeve për lidhje me krimin e organizuar, korrupsionin ose destabilizimin rajonal.

Po ashtu, në mesin e të sanksionuarve në Ballkan ka edhe persona dhe subjekte që lidhen me aktivitete terroriste ose me ndikimin ketë Rusisë.

SHBA-ja vendosi sanksione për Ballkanin Perëndimor midis viteve 2001 dhe 2004, për shkak të krimeve të luftës, destabilizimit të vendeve dhe cenimit të paqes pas përfundimit të luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë gjatë viteve 1991-1999.

Sanksionet u rikthyen në vëmendje një dekadë më vonë, kur nisën të vendoseshin për shkak të korrupsionit, trafikimit të narkotikëve, terrorizmit, si dhe cenimit të paqes dhe stabilitetit.

Që nga viti 2022, në mesin e të sanksionuarve janë edhe persona dhe subjekte që mbajnë lidhje me Rusinë, e cila është izoluar për shkak të pushtimit të Ukrainës. Vendimi  për zgjatjen e vlefshmërisë së mekanizmit ligjor që u mundëson SHBA-së vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor — “masat e gjendjes së jashtëzakonshme” — u zgjat zyrtarisht më  22 qershor 2026 edhe për një vit. 

Kur bëhet fjalë për gjashtë shtetet e Ballkanit, në listë janë 71 subjekte dhe 60 individë, ndërsa subjektet e sanksionuara juridike janë kryesisht të lidhura me individë të sanksionuar.
Sanksionet e targetuara mund të përfshijnë ndalimin e udhëtimit dhe kufizime financiare, deri te kufizimet tregtare dhe ngrirja e pasurisë.

Qëllimi është izolimi i individëve ose subjekteve juridike, në mënyrë që t’u kufizohet qasja në burime politike ose ekonomike.

"OFAC-u ka një regjim të veçantë sanksionesh për Ballkanin, të krijuar në vitin 2001. Fillimisht, sanksionet lidheshin me ruajtjen e paqes pas luftërave të viteve ’90, ndërsa sot ato përdoren gjithnjë e më shumë kundër rrjeteve që lidhin politikën, biznesin dhe krimin. Që nga viti 2025, ky regjim përfshin edhe përpjekjet për shmangien e sanksioneve amerikane. Kjo tregon se qasja amerikane ndaj sanksioneve për Ballkanin ka ndryshuar: nga stabilizimi i pasluftës, drejt luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe destabilizimit politik"- tha Sasha Gjorgjeviq nga Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional.

Programi i sanksioneve të OFAC-ut
OFAC-u ka më shumë se 30 programe aktive sanksionesh, të orientuara drejt mbrojtjes së sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për 71 subjektet e evidentuara në shtetet e Ballkanit Perëndimor, sanksionet janë vendosur në bazë të 11 programeve. REL

Poll