
Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga ish-kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit, e cila e kishte dënuar me 1 vit burg për korrupsion në zgjedhje.
Me këtë vendim, dënimi ndaj Memollës bëhet përfundimtar, pasi trupa gjykuese e Gjykatës së Lartë vlerësoi se nuk ekzistojnë shkaqe ligjore për pranimin e rekursit të depozituar nga mbrojtja e tij.
Memolla ishte shpallur fajtor nga dy shkallët e gjykimit për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje. Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, të dhënë më 9 shkurt 2026, ai u vetëdorëzua në polici dhe më pas u transferua në Burgun e Rrogozhinës, ku po vuan dënimin e tij.
Hetimet ndaj tij nisën pas një kallëzimi dhe u kryen nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila e mori të pandehur më 19 tetor 2023.
Sipas dosjes hetimore, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale, Memolla dyshohet se ka ndërhyrë tek punonjës të OSHEE-së për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një familjeje debitore, me qëllim sigurimin e votës së tyre. Po ashtu, ai dyshohet se ka premtuar favore dhe ndërhyrje për punësime në Bashkinë Rrogozhinë në këmbim të votave.
Në hetim janë përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët akuzohen për falsifikim të të dhënave në procesverbale dhe për përfshirje në skemën e ndikimit të votës.Versus.al

